Në Universitetin e Tetovës është duke u bërë inspektim i detajuar nga ana e Inspektoratit shtetëror i Arsimit. Ky dikaster konfirmon lajmin, por pa ndarë detaje, të cilat thonë se do të dalin pasi të ketë përfunduar kontrolli.
“Një inspektim i jashtëzakonshëm në Universitetin e Tetovës është duke u zhvilluar, pas përfundimit të tij do të mund t’ju ofrojmë informacione. Njëkohësisht ju njoftojmë se Inspektorati Shtetëror Arsimor kryen inspektime të jashtëzakonshme dhe të rregullta edhe në Universitete të tjera në përputhje me programin vjetor ose pas raporteve të marra”, tha Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
I pyetur nëse do të ndërmerret diçka në Universitetin e Tetovës, që shpesh është përballur me akuza për politizim dhe partizim, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu në DailyClick u përgjigj me “sigurisht se po”, ndërsa shtoi se revidimit nuk do t’i shpëtojë asnjë institucion i arsimit të lartë.
“Do të duhet që të ndiqet procedura, nuk mundet në mënyrë të dhunshme por duke respektuar edhe autononmië e universiteteve. Pra Këshilli për evaluim do të duhet të futet për t’i evaluuar të gjitha programet studimore, ndërkaq Inspektorati do të duhet t’i shohë dhe t’i konstatojë ato shkelje ose zgjedhje, nepotizma e kështu me radhë. Për shkak se inspektorati nuk arrin ta vërejë partizimin apo politizimin, edhe pse ne si subjekte politike kur kemi qenë në opozitë i kemi përmendur dhe si rrjedhojë është kërkuar prej ministrisë për të dhënë një përgjigje konkrete për Universitetin e Tetovës dhe besoj se inspektorati o ka shkuar ose do të duhet ditët në vijim të shkojë për të bërë punën e inspektimit edhe në UT”, thotë zv/ministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
Qeveria me nismë të Ministrisë së Arsimit ka krijuar një Këshill Nacional (trup koordinativ) për reforma në arsim, kryesisht për t’i shqyrtuar të gjitha institucionet e arsimit të lartë se si e kanë kryer punën, siç janë Inspektorati i Arsimit, Bordi për akreditim, Këshilli nacional për arsim të lartë, Agjencia për cilësi në arsimin e lartë. Pas kësaj, zëvendësministri Aliu paralajmëroi se do të ketë revidim të programeve studimore nëpër universitete të ndryshme, programe këto që edhe mund të mbyllen nëse konsiderohen si të tepërta, pa interes për studentët apo jofunksionale.