Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka shpërndarë Abetaren e Unifikuar Shqiptare. Ai tha se shpreson që në të ardhmen kjo abetare të përdoret nga të gjithë nxënësit.
“Është libër i unifikuar për gjithë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Është libër me të cilin nxënësit shqiptarë i mësojnë shkronjat e para në rrugën e tyre drejt arsimit dhe zhvillimit. Do të punojmë seriozisht që jo vetëm abetarja, por edhe librat tjerë të jenë të unifikuar në frymë të bashkëjetesës”, tha Kasami.
I pyetur nëse ka miratim nga Ministria e Arsimit, ai tha se po “pasi ajo është lëshuar për përdorim në RMV”.
Kujtojmë se kjo Abetare ka vite të tëra që është paralajmëruar nga institucionet e larta arsimore në Maqedoninë e Veriut, por assesi nuk gjeti zbatim.
Abetarja e Unifikuar Mbarëkombëtare Shqiptare, që tashmë ka vite që shfrytëzohet në Kosovë e Shqipëri, ka për qëllim unifikimin e mësimit të shkronjave dhe fjalëve të para shqipe për nxënësit shqiptarë në këto tre shtete të rajonit.