Tetova kërkon 50 asistentë për 97 nxënës me nevoja të veçanta

Tetova

Tetova kërkon 50 asistentë për 97 nxënës me nevoja të veçanta

Më: 16 shtator 2024 Në ora: 21:12
Ilustrim

Nëse në vitin shkollor 2021/2022 në nivel të shtetit ishin angazhuar 600 asistentë për nxënës me nevoja të posaçme, në vitin 202/23 ky numër ishte rritur në 720. Pra, nga viti në vit shtohet nevoja për angazhimin e asistentëve nëpër shkolla. Këtë vit ministria e Arsimit dhe shkencës planifikon të angazhojë mbi 800 asistentë për këtë kategori nxënësish. Tashmë kanë kaluar dy javë nga fillimi i procesit edukativo-arsimor, ndërsa fëmijët me pengesa në zhvillim nuk kanë asisentë. Në 12 shkollat fillore të Komunës së Tetovës, gjithnjë e në rritje është numri i fëmijëve që shkojnë në shkollë dhe që kanë nevojë për asisentë personal. Për 97 fëmijë ishin angazhuar 50 asistentë, bëjnë të ditur nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

“Për çdo vit, nga ana e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, konkretisht nga ana e shkollës fillore ‘Zllate Stremec’ në Shkup, e cila për çdo vit hap konkurs për angazhimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të posaçme, ku këta persona konkurrojnë dhe më pas ajo si qendër i shpërndan asistentët personal në nivel të republikës. Në bazë të të dhënave që i kemi, si Komunë e Tetovës për 12 shkolla, ne në kuadër të këtyre shkollave kemi pasur 97 fëmijë me nevoja të posaçme dhe kemi pasur të angazhuar 50 asistentë personal”, deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se shpalljet për 815 asistentë arsimorë janë bërë nga shkollat ​​fillore me qendrat përkatëse dhe pas nënshkrimit të kontratave në ditët në vijim do të punësohen. “Ju njoftojmë se këtë vit do të punësohen mbi 1000 asistentë arsimorë në shkollat ​​fillore në të gjithë vendin, sipas kërkesave të prindërve dhe kujdestarëve të nxënësve me aftësi të kufizuara. Kjo do të thotë se kërkesave për ndihmë arsimore do t`i përgjigjemi në mënyrë pozitive edhe në komunën e Tetovës. Shpalljet për 815 asistentë arsimorë janë bërë nga shkollat ​​fillore me qendrat përkatëse dhe pas nënshkrimit të kontratave në ditët në vijim do të punësohen. Për 200 asistentët e mbetur janë siguruar mjete me ribalancim të buxhetit dhe njoftimet janë në vazhdim”, u përgjigjen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës shpresojnë që asnjë fëmijë me pengesa të mos mbetet jashtë procesit mësimor dhe se do të angazhohen numër i mjaftueshëm i asistentëve. Në të kaluarën, kur numri i asistentëve ka qenë i pamjaftueshëm, Komuna e Tetovës me mjete vetanake i ka angazhuar të njëjtit.

“Është e paraparë që një asistent të mbulojë një ose dy apo maksimum tre nxënës në një shkollë fillore. Ky numër për vitin që po e lëmë pas, ka qenë i mjaftueshëm. Mendojmë se edhe këtë vit do të ketë numër të mjaftueshëm të asistentëve për këta nxënës. Besoj se edhe këtë vit nuk do të kemi problem për sa i përket angazhimit dhe përkujdesit ndaj nxënësve me nevoja të posaçme”, thotë Dauti nga Sektori për Arsim në Tetovës. Deri tek angazhimi i asistentëve ka ardhur pasi me regjistrimin e nxënësve me nevoja të veçanta nëpër shkollat e rregullta arsimore dhe me kategorizimin e tyre nga profesionistët e fushave, ata gjithashtu sugjerojnë edhe asistentë që i njëjti nxënës procesin ta ndjek me asistent në shkollë të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat