MPB Maqedoni njofton se dje (03.10.2024) në ora 13.45 në fshatin Pirok, Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë e kanë ndaluar personin A.H.(30) nga Piroku nën dyshimin se ka kryer veprën penale “organizimi i lojërave të fatit pa licencë, përkatësisht me leje nga organi kompetent”.
Gjatë kontrollit të celularit të tij, u konstatua se ai përdorte një faqe interneti për lojërat e fatit online për të cilat kishte të drejta administrative për të krijuar përdorues të tjerë.
“Gjithashtu është gjendur një listë e lojtarëve që kanë qenë aktivë, si dhe gjendja e kreditit të vendosur, me shumën e bilancit dhe kreditet e disponueshme, si dhe mesazhet e mjeteve të komunikimit me kërkesat për të rimbushur kreditet në platformë”.
“I është konfiskuar celulari dhe është ndaluar në stacion policor për procedim të mëtejshëm”.
“Në të njëjtën kohë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë, në bashkëpunim me DAP dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës, kanë kryer kontroll edhe në lokalin e basteve sportive në fshatin Pirok, ku ai punonte, në pronësi të E.Sh. dhe I.Sh, të dy nga Tetova”.
“Gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi në funksionimin e pikave të basteve, për të cilat do të merren masat përkatëse nga institucionet kompetente. Pas dokumentimit të rastit, do të dorëzohet një raport përkatës”, thonë nga MPB.