Festat e fundvitit, kaos në komunikacionin në Tetovë

Tetova

Festat e fundvitit, kaos në komunikacionin në Tetovë

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 17:54
Foto ilustrim

Festat e fundvitit si zakonisht kthejnë mërgimtarët në vendlindje. Mirëpo, edhe këtë fundvit, nuk mungon kaosi në komunikacionin rrugor në qytetin e Tetovës. Mijëra automjete që qarkullojnë brenda në qytet, me mungesë të vendeve të parkimit, vozitës të nervozuar dhe kaos gjithandej, është pamja që e shoqëron qytetin e Tetovës në këtë fund vit. Vozitësit ankohen se mungojnë vendet e parkimit, nuk respektohen rregullat në komunikacion, ka edhe vozitës që parkohen vend e pa vend, në trotuare, në mes të rrugës, në kryqëzime dhe kjo e bën të vështirë trafikun rrugor në Tetovë.

Në ndërkohë, nga policia e Tetovës thonë se prej datës 20 dhjetor, në rajonin e gjerë të Pollogut, vërehet intensiteti në rritje i kthimit të mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa në javën e fundit të vitit dhe në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, pritet që numri i tyre të rritet edhe më shumë, për këtë arsye rregullisht ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e intensifikuara për të mundësuar qarkullim normal dhe të qetë nëpër zonat qendrore të qyteteve Tetovë dhe Gostivar, e veçanërisht në drejtim të parandalimit dhe sanksionimit të parkimeve të gabuara dhe të paligjshme të automjeteve.

Nga policia apelojnë që vozitësit të jenë të kujdesshëm dhe të ketë një kulturë më të lartë të sjelljes në komunikacion, sidomos dhënia e përparësisë qoftë këmbësorëve qoftë vozitësve tjerë të shmanget kaosi dhe në këtë mënyrë të kontribuohet për një komunikacion të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.

“Në bashkëpunim me pushtetin lokal, gjatë pushimit të gjysmëvjetorit shkollor do të hapen edhe oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme në zonat qendrore të qyteteve për të mundësuar parkimin e automjeteve dhe për të shmangur parkimet e dyfishta, pra paralele, si dhe parkimet në kryqëzime, në trotuare, vendkalime për këmbësorët dhe të ngjashme. Automjetet që pengojnë rrjedhën normale të qarkullimit do të merren nga shërbimet komunale “merimangë”, ku do të ketë aktivitete të intensifikuara dhe me orar më të gjatë pune”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Ndërkaq, edhe nga Komuna e Tetovës theksojnë se me përfundimin e vitit shkollor pritet që disa oborre të shkollave fillore dhe të mesme të lirohen për parkim për qytetarët. Kërkojnë që qytetarët më shumë të shfrytëzojnë transportin urban me qëllim që të shmanget kaosi në trafikun rrugor.

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, për shkak të mërgimtarëve të ardhur për festat e fundvitit dhe frekuencës dukshëm të shtuar të trafikut dhe kushteve të rënduara atmosferike me reshjet e borës që pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës, apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe bllokimin e trafikut, të jenë të vetëdijshëm, të mos parkojnë automjetet ku do të arrijnë dhe të kontribuojnë për sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat