Drejtori i Teatrit të Tetovës për ndarjen e buxhetit: Kultura ka qenë dhe vazhdon të jetë keq

Tetova

Drejtori i Teatrit të Tetovës për ndarjen e buxhetit: Kultura ka qenë dhe vazhdon të jetë keq

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 11:35
Drejtori i Teatrit të Tetovës Hasim Memishi

Drejtori i Teatrit të Tetovës Hasim Memishi, ka reaguar në lidhje me ndarjen e buxhetit nga Ministria e Kulturës për teatrot në vend. Ai në një postim në Facebook shkruan se Teatri i Tetovës vitin e kaluar ka qenë më keq me buxhet se këtë vit.

“Një sqarim për opinionin pasi lexova disa reagime për buxhetin e teatrove..

Teatri i Tetovës vitin e kaluar ka qenë edhe më keq se këtë vit. Vitin e kaluar Teatri i Tetovës ka patur buxhet 3.3 milion denarë, kurse këtë vit ka 4 milion denarë, por tema nuk është kjo. I shkruaj këto shifra vetëm për korrektësi të opinionit; përndryshe Kultura shqiptare në RMV vite me radhë, mos them me dekada, është shumë keq. E keqja nuk fillon te buxheti i projekteve, e keqja fillon te kushtet në të cilat punojnë institucionet e kulturës”.

“Ju e dini se Teatri i Tetovës gati 20 vite nuk arrinë të zhvillojë aktivitete gjatë dimrit sepse nuk mundet të sigurohet nxemje e mjaftueshme në sallë, që është e dhimbshme, mos them qesharake. Ju e dini se Teatri i Tetovës e ndanë objektin me Pallatin e Kulturës, Bibliotekën e qytetit dhe Ansamblin muzikor, përjashto këtu edhe shumë OJQ të ndryshme, gjë që pengon në organizimin e punëve të të gjitha palëve. Të njëjtën gjendje në mos më keq është edhe Teatri i Gostivarit, Kumanovës etj. Teatri për të rinj në Shkup nuk ka objekt ku t’i zhvillojë aktivitetet e tyre. Kjo është e keqja më e madhe që i ndodh kulturës në pjesën shqiptare, buxheti pastaj dhe gjërat tjera janë një “luks””.

“Nëse e doni vërtet Teatrin, do të kishit reaguar për objektin i cili duhet të renovohet ende pa hyrë në të, sepse ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara për ndërtim. Pa u krijuar kushtet që Teatrot dhe i institucionet tjera të mund të zhvillojnë aktivitetet 12 muaj brenda vitit, kot flasim për buxhete e programa vjetore. Kam reaguar vite të tëra për këto gjëra, dhe do vazhdoj të reagoj derisa të gjejmë nji zgjidhje. Nuk mund ta shohim kulturën si “tezga” për dikend; Kultura do tjetër qasje dhe shumë seriozitet, ajo na dhemb më shumë neve që merremi me këtë punë, sepse për të tjerët është një diçka terciare, e pa rëndësishme”.

“Si mundet vetëm objektet kulturore në Maqedoninë perendimore të kenë probleme me nxemjen? Kultura është improvizuar vite apo mos them dekada me radhë, duhet njëherë e përgjithmonë që kjo gjë të rregullohet. Nëse doni të flasim për këtë temë, që të shohim e diskutojmë se si zgjidhen këto probleme, do të ishte ideale; nëse doni të bëjmë politikë ditore, ju faleminderit, nuk jam i interesuar!”, ka shkruar Hasim Memishi.

Ndryshe, Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës për vitin 2025 u janë ndarë vetëm 15 milionë denarë, që i bie vetëm 1.6% e mjeteve të nevojshme për realizimin e projektit të objektit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat