E teksa Piramida po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë, 250 të rinjtë e parë, nga mosha 12-18 vjeç kanë filluar mësimin në “Tumo Tirana”. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se fëmijët që vijnë nga familje me kushte të vështira ekonomike do të mbështeten me bursë.
“Për fëmijët që vijnë nga familje në nevojë, jemi të gatshëm t’i subvencionojmë. Është mëkat të harxhosh kohën kot, kur mund të investojmë në aftësimin e të rinjve me një zanat apo një kurs që nesër do të japë më shumë oferta për punësim, duke ofruar dije për një botë që gjithmonë e më shumë kërkon këtë lloj aftësish që mëson TUMO”, tha Veliaj.
Sipas kryebashkuat Veliaj, vitet që vijnë pritet që interesimi i të rinjve të jetë më i lartë.
“Fakti që kemi 250 të rinjtë e parë nga mosha 12-18 vjeç, që e kanë nisur këtë udhëtim, është shumë inkurajues. Imagjino ç’mund të bëjmë vitin e ardhshëm, ku me gjasa do kemi një fushatë vaksinimi, do kthehemi në normalitet, dhe do duhet të ndezim motorët e ambicieve dhe të energjive tona më të mira”, tha Veliaj.
TUMO Tirana është qendra më e madhe e teknologjisë që synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek. të 21, duke ofruar kurrikula në fushën e inovacionit dhe artit dhe do të shërbejë si një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç.