Policia e Tiranës i ka vënë prangat një burri në Tiranë, i cili akuzohet për përndjekjen e një femre.
Sipas policisë, shtetasja që ka bërë kallëzim për 58-vjeçarin, është motra e bashkëjetueses së të arrestuarit.
Shtetasi Y. A., nuk dihet për çfarë arsye kishte kohë që i ishte qepur pas motrës së gruas me të cilën bashkëjetonte dhe e ngacmonte. Për këtë arsye ajo i është drejtuar Komisariatit të Policisë dhe ka bërë padi për përndjekje.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë të shtetasit Y. A., 58 vjeç, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme motrën e bashkëjetueses së tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. K., 58 vjeç.
Bazuar në informacionet e marra se ky shtetas, në kundërshtim me masat anticovid, kishte përshtatur lokalin e tij për përdorim dhe konsumin të lëndëve narkotike, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit B. K., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. B., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.