Zaptimi i hapësirave publike dhe prishja e objekteve qe mbartin vlera historike ka mbledhur në proteste me dhjetëra aktivistë dhe mbështetës që e dënojnë këtë fakt.Ndërhyrjet në prishjen e këtyre objekteve konsiderohen si shkatërrim për historinë shqiptare.
Ndërtimet pa kriter dhe prishja e objekteve që mbartin vlera për trashëgiminë kulturore kanë mbledhur me dhjetëra qytetarë dhe aktivistë në protestë.
Para bashkisë së Tiranës ata kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të shkatërrimit që po i bëhet kryeqytetit dhe jo vetëm.
Rrënimi i godinës së maternitetit “Mbretëresha Geraldine” por dhe të tjera sipas tyre janë copëza të historisë që u shuan.
“Këta të uruar si ky kryetari i bashkisë, kryeministri apo ai i Korçës kanë arritur që çdo vepër të parë shqiptare si memorie e kombit të mos ekzistojë më. I prishin natën si skutha, ku natën ndahen vetëm paratë e pista të hajdutëve.”
Aktivisti, Sazan Guri, tha ndër të tjera se hapësirat publike janë zaptuar pothuajse të gjitha dhe është koha për të thënë ndal.
“Duhet të ndalin dorën e gjatë që kanë, po ta kishin më të gjatë edhe hënën do ta shkatërronin.”
Edhe mbështetës të tjerë i dënojnë këto ndërhyrje, madje i kërkojnë SPAK që nisë hetimet.
“Kërkoj vetting të këtyre politikanëve që ato ligje që i kanë aprovuar vetë në parlament i shkelin me të dyja këmbët.”
“Këta duan ta shkatërrojnë këtë komb, ne duhet tu tregojmë se zëri i qytetarëve është më i fuqishëm se kushdo”.
Kjo nuk është hera e parë që aktivistët denoncojnë shkatërrimin e historisë dhe ndërtimet pa kriter që po bëhen në të gjithë vendin.