Me gropa dhe pa asnjë shenjë asfalti, nuk bëhet fjalë për ndonjë rrugë fshati, por për rrugën “Benjamin Kruta” në kryeqytet, e cila prej vitesh nuk ka parë asnjë investim.
Rrugë jo vetëm me gropa, por pa asnjë shenjë asfalti jemi mësuar shpesh të shohim nëpër fshatra, por kjo është gjendja e një rruge në kryeqytet.
Bëhet fjalë për rrugën “Benjamin Kruta” prapa godinës së re të drejtësisë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.
Prej më shumë se 5 vitesh, në këtë pjesë të rrugës nuk është bërë asnjë investim.
Aksi kryesor në pjesën e përparme të polit të drejtësisë është e shtruar që prej inaugurimit të institucionit, ndërkohë prapa saj ka veç gropa, pluhur, mbeturina madje dhe pula që çukisin për ushqim.
“Po bëj 5 vjet që banoj dhe nuk është rregulluar asnjëherë.Është si rrugë primitive.”
Banorët thonë se në këtë lagje është e vështirë kalimi me makinë ndërsa në kohë me shi është thuajse e padepërtueshme.
“Nuk kalohet fare në kohë me shi dhe me këmbë, me makinë jo e jo.”
Edhe pse në këtë zonë ka pak banesa, ato janë lënë mënjanë nga Bashkia e Tiranës.