Ndonëse shpeshherë është denoncuar se kryeqyteti e nis dhe mbyll javën i zhytur nga mbeturinat dhe nuk shqetësohet askush për marrjen e masave, tenderat për blerjen apo mirëmbajtjen e stolave dhe koshave dekorativë, apo të tjera objektesh luksi nuk ndalen.
Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë ka zhvilluar dy procedura me një fond limit prej 37.4 milionë lekësh.
Qëllimi ka qenë për shpenzime pastrimi dhe mirëmbajtje e koshave dhe stolave dekorative.
Sipas dokumenteve në garë ka marrë pjesë vetëm subjekti Gerdard A që është shpallur automatikisht edhe fituesi.
Edhe Open Data i ka shënuar të dy rastet e zhvilluar me flamur të kuq me shënimin mungesë konkurrence.
Kjo kompani prej vitit 2018 rezulton të ketë nënshkruar 14 kontrata me bashkinë e Tiranës me një vlerë prej më shumë se 273 milionë lekësh të reja pa TVSH.
Së bashku me dy prokurimet e fundit, 7 prej tyre tenderave lidhen pikërisht me stolat dhe koshat.
Gerard A sh.p.k ka shtuar në aktivitetin e tij në tetor të vitit 2018 mirëmbajtjen e këtyre objekteve dhe është shpallur fitues i një tenderi nga Veliaj 5 muaj më pas.
Edhe pse jemi në kohën kur kërkohen më shumë fonde për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi, Bashkia e Tiranës nuk preferon të rishikojë financimet por të vijojë me tenderat luksozë.