Gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë gjatë 24 orëve të fundit. Të arrestuarit akuzohen për vepra të ndryshme penale si kokainë, vjedhje, dhunë në familje si dhe largim nga burgu.
Kapet 21 vjeçari me kokainë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. M., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë.
Shkatërrohet banda e hajdutëve
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. Sh., 35 vjeç dhe K. Xh., 43 vjeç, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
"Arratiset" i burgosuri
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. M., 61 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Dhunë në familje
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 51 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, si dhe ka dëmtuar pajisjet elektroshtepiake në banesë.
Kapen "kamikazët" e rrugëve
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
A. A., 38 vjeç dhe A. L., 49 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.