Policia e Tiranës ka ndaluar 4 persona për drogë. Sipas burimeve zyrtare, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe goditur 1 tjetër rast të tentativës për kultivim të kanabisit në afërsi të fshatit Ballenj, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve A. D, 52 vjeç dhe G. K, 27 vjeç, si autorë të dyshuar të kultivimit.
Po kështu specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. R., 38 vjeç dhe F. K., 37 vjeçe.
Burri dhe gruaja janë arrestuar pasi në Pezë-Helmes, në një ambient të hapur pa pronar, gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike kokainë të ndarë në doza.
Në vijim të veprimeve u proceduan dhe 5 shtetas për veprën penale “Moskallëzimi krimi”, të pranishëm në ambientin ku u konstatuan dy të arrestuarit.