Ekspertiza nuk ka lënë dyshime për ushtrim dhune. Ishte kjo deklarata e gazetarit Eni Ferhati në “Good morning Albanians” për 22-vjeçaren nga Kenia e cila prej 13 gushtit ndodhet te Trauma në gjendje të rëndë.
“Shenjat të cilat ajo ka në trup, në kokë janë shenja të cilat që eksperti mjeko-ligjor ka dalë në përfundimin që janë shenja të cilat bëhen vetëm në rastet e rënies nga lartësitë", tha ai.
Ndërsa theksoi se deklaratat e nënës së vajzës duhet të merren në konsideratë, Ferhati sqaroi se nuk ishte i sigurt nëse deklaratat në Euronews Albania përputhen me ato që ka dhënë para policisë.
“Duhet të kemi parasysh dhe diçka. Komisariati 1 është një komisariat shumë i madh që trajton dhjetëra raste në ditë dhe pikërisht bërja e çështjes mediatike, edhe pse ka kaluar shumë kohë nga ngjarja mund të çojë në zbardhjen e saj pikërisht për shkak të trysnisë pozitive që ushtron media në të tilla raste", u shpreh gazetari.
Sa i takon kamerave të sigurisë, Ferhati tha se mund të ruhen për dy muaj dhe tashme ka kaluar më shumë kohë.
Mjekët bëjnë me dije se e reja ka 3 brinjë dhe kocka të thyera, lëndime në dorë dhe stomak si dhe dëmtime në tru.
22-vjeçarja punonte në një nga kazinotë e kryeqytetit dhe mesnatën e 13 gushtit ajo humbi kontakte me familjarët e saj.