“Luftë korrupsionit në bashki”/ Belind Këlliçi me qytetarët në njësinë 7: Pas zgjedhjeve ju garantoj se në autobus do të hipni pa paguar

Tirana

“Luftë korrupsionit në bashki”/ Belind Këlliçi me qytetarët në njësinë 7: Pas zgjedhjeve ju garantoj se në autobus do të hipni pa paguar

Më: 28 prill 2023 Në ora: 10:29
Belind Këlliçi

“Luftë me tolerancë zero dhe realizim të 5 prioriteteve për Tiranën”, ishte mesazhi kryesor që dha kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e kryeqytetit, Belind Këlliçi gjatë një takimi me banorët e njësisë nr.7.

Në prani të qindra qytetarëve te “Fusha e Aviacionit”, Belind Këlliçi e nisi fjalën me një përgjigje për furtunën në gotë, që shkaktoi posteri i tij kundër korrupsionit.

Ai deklaroi para qytetarëve se nuk tërhiqet nga zotimi i tij për të luftuar korrupsionin dhe modelin Eiron Veliaj, dhe lidhjet e tij me aferat e abuzimin me postin.

“Ai posteri im i gishtave i ka mërzitur shumë njerëzit…i ka mërzitur shumë që unë i kam nxjerr zemrën qytetarëve, dhe i kam nxjerr gishtin korrupsionit. Janë mërzitur të gjithë hipokritët që jetojnë në Tiranë, që punojnë në Tiranë. Analistët e mediave, që mbrojë nga mëngjesi deri në darkë korrupsionin, që mbrojnë inceneratorët fantazëm, që janë të gatshëm të thonë se kanë hipur në trenin elektrik të Erion Veliajt, që janë të gatshëm të dalin në media dhe të na numërojnë 1 milionë pemët e Erion Veliajt. Sistemi që është ngritur sot në Tiranë, që është krejt i kalbur, korruptiv, i bazuar në lidhjet më okulte të kryetarit të Bashkisë me Ndraghetën italiane, të kryetarit të bashkisë me mafien e ndërtimit, ne bashkë do ta zhbëjmë në 14 maj. Ua them dhe njëherë, që pas datën 14 maj, do zhvilloj një luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, pa etikë dhe me gishtat ngritur ndaj vjedhjeve në bashkinë e Tiranës”.

Në këtë këndvështrim, Këlliçi drejtoi një pyetje për kritikët e posterit, duke sjellë në vëmendjen denoncimin për kreun e IMT-s, Mariglen Qato, ku ky i fundit ka përfituar 25 milionë euro tendera nga bashkia e Tiranës, ndonëse është vartës direkt i Erion Veliajt.

“Ndërkohë, ditën e djeshme, unë nxora një aferë të një drejtori, në bashkinë e Tiranës, që quhet Mariglen Qato, që është Drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, që s`ka lënë qytetar pa gjobitur në Tiranë, që ka hapur një kompani bashkë me familjarët e vetë në vitin 2016 kur ishte drejtor UKT-je, që ka marrë 25 milionë euro nga taksat e bashkisë, që ka futur familjarët e vet te financa e UKT-s, ku vetë ishte drejtor dhe vet me institucionin e vet paguan kompanitë e veta, dhe nuk dëgjova njeri dje që të fliste për këtë. Ku janë këta analistët që u shqetësuan për posterin?”-tha Këlliçi.

Por, pyetjen për mungesën e reagimit dhe hetimit ndaj Mariglen Qatos dhe vetë Erion Veliajt, që akuzohet për aferën e inceneratorëve, Belind Këlliçi ia drejtoi edhe SPAK. Ai i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetojë korrupsionin, që sipas tij është i faktuar me dokumente të firmosura nga dora e Erion Veliajt.

“Kam një thirrje për SPAK-un sot nga Njësia Nr.7. Ka shumë fjalë, po flitet ditët e fundit, se po përgatiteni që Mariglen Qaton ta arrestoni pas zgjedhjeve, për të mos i dhënë kosto kryetarit të bashkisë. Çfarë ju pengon të shkoni dhe ti verifikoni ato akuza që kam bërë unë? Çfarë ju pengon që tre vite që është bërë kallëzimi në SPAK për inceneratorin e Tiranës, të hapet dosja e Tiranës? Çfarë ju pengon të shihni shkresën e Erion Veliajt me firmën e tij dhe me vulën e bashkisë në mars të 2017, që shiti për 30 vite ekonominë e qytetit tonë. Çfarë ju pengon t`i shihni këto shkresa që janë bërë publike?”-u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Belind Këlliçi u ndal te angazhimet e tij për Tiranën.

Ai theksoi edhe para banorëve të Njësisë Nr.7, se pas 14 majit, transporti publik do të jetë falas, ndërsa u shpreh se përfitues do të jenë shtresat e thjeshta të shoqërisë.

“Po falas do të jetë! Pas 14 majit ua garantoj unë se në autobus do të hipni pa paguar. Do të hipni në autobuza shumë herë më të mirë se këta që janë sot. Pse? Sepse janë paratë, ne nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur. Kur paska para 430 milionë euro për incenerator fantazëm, shqetësohen këta pse kam gjetur unë 16.5 milionë euro për studentët, për pensionistët, për të hipur në autobus falas, pse do t`ua lehtësojë unë jetën 200 mijë qytetarëve në ditë, pse do t`i mundësoj unë atyre banorëve të Shëngjergjit që të mos paguajnë më 2 mijë lekë biletën për të vajtur nga Shëngjergji në Kinostudio! Apo pse do t`i lehtësojë jetën mijëra e mijëra studentëve në Tiranë, të cilët vetëm në masën 22% mund të marrin një abone”-tha Këlliçi.

Erion Veliaj është pa bilanc dhe i kapur nga makthi për shkak se nuk ka çfarë iu premton qytetarëve, shtoi Këlliçi duke renditur edhe në Njësinë Nr.7, 5 prioritet e tij për drejtimin e bashkisë Tiranë pas 14 majit.

“Plani im me pesë pika kryesore është makthi më i madh që ka sot Erion Veliaj. Pse?  Merret me opozitën, merret me mua, merret me doktor Berishën, merret me qytetarët. Vete e keni dëgjuar të flasë diçka në shërbim e dobi të qytetarëve? Ndërkohë që ne kemi: Autobusin falas; kemi nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, pa prekur sheshin, pa e dëmtuar një cm sheshin, dhe duke çliruar 60% të trafikut në qendër të Tiranës; kemi në plan ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave për çdo njësi në Tiranë; paketa ime rregullatore për uljen e taksave për biznesin e vogël, do t`i japë frymëmarrje të gjithë biznesit të vogël 45 mijë subjekteve në Tiranë dhe mbi të gjitha sigurisht 500 oazet që kemi premtuar”.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi theksoi gjithashtu se 14 maji pritet me padurim edhe nga socialistët, të cilët kërkojnë të largojnë sektin e Erion Veliajt nga drejtimi i bashkisë.

“Se edhe ata janë goditur nga banda e “G99” dhe “Mjaft-it” në Bashkinë e Tiranës. Unë betejën e kam me Erion Veliajn dhe sektin e tij të “G99” dhe të “Mjaft-it” në Bashkinë e Tiranës. Ka socialistë të ndershëm, ma besoni, që më shkruajnë çdo ditë. Mbi gjysmën e denoncimeve që unë marr, e marr nga brenda bashkisë së Tiranës, që janë të parët që me zor presin 14 majin për të shpëtuar nga përçudnimi dhe poshtërimi që u bën Erion Veliaj çdo ditë me  bukën e gojës”-u shpreh Këlliçi.

Në fund, me kërkesë të qytetarëve, Belind Këlliçi premtoi gjithashtu se pas 14 majit, një ditë në javët si kryebashkiak do t`ia dedikojë pritjes me qytetarët, që të ketë mundësi të dëgjojë nga afër problemet e tyre.

“Në ka një dëm, që ka bërë kryetari aktual i bashkisë, është shkëputja e marrëdhënies së drejtpërdrejtë me qytetarin, që ka qenë deri në vitin 2015 traditë e kryetarit të bashkisë, që çdo të premte kishte një orar pritje me qytetarët. E gjente një herë të vetme, një herë në javë, dy orë kohën për të pritur qytetarët. Padiskutim pas 14 majit kjo traditë do të rikthehet për të mos humbur lidhjen me qytetarin, se në fund të ditës me qytetarin duhet të jesh”-u shpreh Belind Këlliçi.

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e qytetarëve në 14 maj, duke votuar jo vetëm atë si kandidat, por edhe listën e këshilltarëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat