Tirana ka shënuar një rekord të ri sa i takon temperaturave maksimale që janë regjistruar deri tani. Ditën e djeshme, 25 korrik 2023, Instituti i Gjeoshkencave ka shënuar temperaturën rekord për kryeqytetin: 42.1 gradë Celcius.
Kjo temperaturë është rekord i ri për Tiranën duke thyer dhe rekordin që ishte shënuar në 1973.
“Rekord për qytetin e Tiranës ishte dita e djeshme. Stacioni meteorologjik i vendosur brenda unazës në Tiranë ka regjistruar dje temperaturën 42.1 gradë Celcius. Nëse i referohemi 1973, Tirana ka qenë në vlerat 41.5 gradë. Këtë vit është shënuar më e lartë 42.1 gradë. Shumë nxehtë’, tha Anira Gjoni, specialiste e IGJEUM në një intervistë për emisionin “Sot live në Shqipëri”.
Ndërkohë javën e kaluar në Tiranë është regjistruar temperatura maksimale 37 gradë.
Edhe gjatë natës temperaturat që janë regjistruar në Tiranë kanë qenë shumë të larta.