Këto janë pamjet brenda banesës, e cila u përfshi nga flakët në kryeqytet, ku humbi jetën 57 vjeçari Ramazan Duka. 57 vjeçari, baba i tre fëmijëve, ka qenë vetëm në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja. Zjarri ka rënë në pjesën e kuzhinës së apartamentit dhe më pas është përhapur nëpër shtëpi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:50, në rrugën “Ferit Xhajko”. 57 vjeçari është gjetur në dhomën e gjumit, i cili sipas policisë nuk është prekur nga zjarri.
Dyshohet se ai ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksimit nga tymi që është përhapur në banesë. 57 vjeçari njihej si përdorues alkooli.
Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende por hetuesit kanë dyshime se bëhet fjalë për shkëndijë elektrike ose ndonjë bisht cigareje që është harruar prej viktimës.