Gjykata e Tiranës vendosi masat “Arrest në burg” për 16 persona dhe tre vendime për kontrolle banesash për tre të tjerë.
Nga masat e vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë arrestuar gjatë operacionit “Old Plants” 12 persona dhe 4 të tjerë po ndiqen me masa kërkimi.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Nr. 5, dhe Njësinë e Sigurisë Publike Tiranë ekzekutoi masat për: E. A., 57 vjeç, A. A., 26 vjeç, I. V., 52 vjeç, Y. C., 48 vjeç, E. Sh., 26 vjeç, F. Z., 41 vjeç, I. D., 43 vjeç, R. D., 39 vjeç, L. A., 53 vjeç, D. K., 25 vjeç, I. H., 52 vjeç, dhe F. M., 52 vjeç, banues në Kamëz dhe Krujë.
Gjithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Sipas policisë, ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vitet 2021 dhe 2022, kanë kultivuar bimë narkotike në fshatra të ndryshme në malësinë e Krujës.
Operacioni u zhvillua në funksion të procedimit penal nr. 308/2022, i regjistruar si fillim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe më pas transferuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.