Kërkesë për rritje të çmimit të biletës nga 40-80 lekë, transporti urban në kryeqytet shkon drejt subvencionit

Tirana

Kërkesë për rritje të çmimit të biletës nga 40-80 lekë, transporti urban në kryeqytet shkon drejt subvencionit

Më: 17 gusht 2024 Në ora: 08:16
Ilustrim

Operatorët e transportit urban në Tiranë, tashmë prej kohësh kanë dalë në kërkesa të shpeshta për dyfishim të çmimit të biletës, për shkak të shtimit të kostove nga karburanti dhe pagat e punonjësve. Ato kanë përsëritur vazhdimisht kërkesën për dyfishimin e çmimit të biletës nga 40 lekë në 80 lekë. Por Bashkia e Tiranës ka zgjedhur ta subvencionojë rritjen e munguar të çmimit të biletës dhe të shtojë vlerën e kompensimit për abonenë e studentëve.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban Qytetas, Kostandin Foni, deklaroi në një intervistë për ‘Monior’ se janë zhvilluar një sërë takimesh me nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, teksa pritet që formula për përllogaritjen e subvencionit të paraqitet nëpërmjet një draft projektvendimi.

Mbështetur në llogaritjen e shpenzimeve dhe sasinë e shitjes së biletave nga secili operator do të llogaritet edhe shuma e dhënies së subvencionimit që do të jetë e përmuajshme.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas parashikohet që kompensimi të jetë 12 lekë për çdo biletë të shitur. Po ashtu për shpërndarjen e aboneve falas për studentët nga muaji tetor deri në qershor, Bashkia e Tiranës kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone. Me ndryshimet për dhënien e kompensimet operatorët pritet të përfitojnë 1,600 lekë kompensim, sa çmimi i abonesë së përgjithshme.

Pra mund të ketë një rritje të subvencionimit për abonenë e studentëve prej 1,6 herë. Në muaj për të gjithë operatorët shpërndahen 22,000 -23,000 abone falas për studentët, për periudhën e vitit akademik që nis nga muaji tetori dhe përfundon në qershor.

Kompanitë kanë ngritur disa herë shqetësimin se për secilin operator në Tiranë shitjet e biletave ranë 37% nga shpërndarja e aboneve falas. Në tetor 2023, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në një letër drejtuar bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit ku u kërkohej rimbursimi i plotë në vlerën e 1,600 lekë të aboneve të studentëve që shpërndahen falas, pasi dhënia e tyre falas rrezikonte falimentimin e 11 kompani të transportit urban për 16 linja.

Transporti publik i Tiranës vijon të jetë në gjendje të rënduar financiare për shkak të rënies së numrit të pasagjerëve dhe shtimit të kostove nga karburanti, mirëmbajtja dhe rritja e pagave e shoferëve dhe faturinove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat