Cilat qytete të Shqipërisë, kishin ndotjen më të lartë të ajrit në 2023-tën?

Tirana

Cilat qytete të Shqipërisë, kishin ndotjen më të lartë të ajrit në 2023-tën?

Më: 2 shtator 2024 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Tre qytetet në Shqipëri, me ndotjen më të lartë të ajrit për vitin që shkoi, janë Tirana, Elbasani dhe Korça.

Kështu thotë raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për vitin 2023.

“Bazuar në rezultatet e monitorimit kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 në stacionin e Tirana Higjiena dhe në stacionin e Elbasanit. Në stacionin e Tirana higjiena kemi një tejkalim të normës vjetore të PM10 në masën 35.4%, ndërsa në stacionin e Elbasanit kemi një tejkalim të normës vjetore në masën 19.62%”, thuhet aty.

Sipas AKM-së, shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në kryeqytet janë automjetet, në Korçë drutë e zjarrit që përdoren për ngrohje, ndërsa në Elbasan aktiviteti industrial në zonën e Ish-metalurgjikut. Kjo situatë kryesisht në muajt e verës, e veçanërisht në korrik.

“Është djegur më shumë karburant si pasojë e shtimit të lëvizjes së automjeteve, por edhe avionëve. Gjithashtu temperaturat e larta amplifikojnë ndotësit e ajrit”, tha për televizionin A2 CNN  Françeska Korançe, pedagoge, eksperte mjedisi.

Sipas gjetjeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, grimcat e dëmshme në ajër  mund të prodhojnë një “krizë të rëndë të shëndetit publik”.

“Kjo shton sëmundjet e kancerit me 10 për qind. Gjithashtu shtohen sëmundjet kardiovakulare etj. Ne nuk do duhej të kishim këta tregues. Kjo pasi nuk kemi industri apo prodhim energjie me djegie si vendet e tjera të Rajonit”, thotë Korançe.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, 23 për qind e vdekjeve në Shqipëri shkaktohen nga probleme mjedisore që kthehen në probleme shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat