Tre qytetet në Shqipëri, me ndotjen më të lartë të ajrit për vitin që shkoi, janë Tirana, Elbasani dhe Korça.
Kështu thotë raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për vitin 2023.
“Bazuar në rezultatet e monitorimit kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 në stacionin e Tirana Higjiena dhe në stacionin e Elbasanit. Në stacionin e Tirana higjiena kemi një tejkalim të normës vjetore të PM10 në masën 35.4%, ndërsa në stacionin e Elbasanit kemi një tejkalim të normës vjetore në masën 19.62%”, thuhet aty.
Sipas AKM-së, shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në kryeqytet janë automjetet, në Korçë drutë e zjarrit që përdoren për ngrohje, ndërsa në Elbasan aktiviteti industrial në zonën e Ish-metalurgjikut. Kjo situatë kryesisht në muajt e verës, e veçanërisht në korrik.
“Është djegur më shumë karburant si pasojë e shtimit të lëvizjes së automjeteve, por edhe avionëve. Gjithashtu temperaturat e larta amplifikojnë ndotësit e ajrit”, tha për televizionin A2 CNN Françeska Korançe, pedagoge, eksperte mjedisi.
Sipas gjetjeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, grimcat e dëmshme në ajër mund të prodhojnë një “krizë të rëndë të shëndetit publik”.
“Kjo shton sëmundjet e kancerit me 10 për qind. Gjithashtu shtohen sëmundjet kardiovakulare etj. Ne nuk do duhej të kishim këta tregues. Kjo pasi nuk kemi industri apo prodhim energjie me djegie si vendet e tjera të Rajonit”, thotë Korançe.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, 23 për qind e vdekjeve në Shqipëri shkaktohen nga probleme mjedisore që kthehen në probleme shëndetësore.