15 qytetarë betohen për shtetësinë shqiptare, Veliaj: Jemi në ditët tona më të mira, qyteti pret 1 milion turistë në muaj

Tirana

15 qytetarë betohen për shtetësinë shqiptare, Veliaj: Jemi në ditët tona më të mira, qyteti pret 1 milion turistë në muaj

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 12:24
Foto nga takimi

15 qytetarë janë betuar për shtetësinë shqiptare para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj.

“Krejt papritur nga një ‘katund’ i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj. Imagjinoni se çfarë ndryshimi dhe se çfarë transformimi ka pësuar qyteti çdo vit, duke u rritur dhe duke u bërë më kozmopolitan, më përfaqësues i të gjitha realiteteve dhe i të gjitha prurjeve dhe kombësive të ndryshme. Sot në Tiranë kanë rezidencën 144 kombësi. Nga një Tiranë e 91-shit, ku ishim vetëm ne tanët në një Tiranë që sot ka 25 mijë italianë dhe shumë e shumë kombësi të tjera që e quajnë dhe ata shtëpinë e tyre”, u shpreh Veliaj.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që bënë betimin që të japin kontributin për Tiranën, e cila gëzon tituj të ndryshëm falë punës së të gjithëve. Veliaj tha se mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, si një mënyrë modeste për të kontribuar tek energjia e madhe e Tiranës.

“Sot Tirana është presidenca e B40, që është rrjeti i bashkive të Ballkanit, para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Në qoftë se keni kontribute për të dhënë për secilin prej tyre titujve, jeni mëse të mirëpritur. Agjensia Europiane e Mjedisit re enditi Tiranën qytetin e 10-të në të gjithë qytetet e Europës, si qyteti që ka mbjellë më shumë pemë kohët e fundit. Edhe sikur mos të keni ndonjë talent të veçantë, si puna ime, mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, kur keni përvjetorin apo kur keni ditëlindjet e fëmijëve, një mënyre modeste për të thënë dhashë edhe unë një kontribut tek kjo energjia e madhe e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat