Prokuroria e Tiranës po kërkon sekuestrimin e disa pronave dhe veturave në pronësi të një punonjëse në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare në Shqipëri.
Kjo pasi po dyshohet se ato janë të vëllait të saj, i cili është dënuar në Angli për trafikim të narkotikëve, raporton A2 CNN.
“Mbi dyshimet për shtetasen I.H., prokuroria arriti në konkluzion se pasuritë e kësaj shtetase dhe familjarëve të saj janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, tha prokuroria.
“Shtetasja në fjalë, brenda një periudhë një mujore ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituara në llogari, vlera 160,000 Euro është transferuar nga shtetasja I.H. në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete. Prokuroria provoi se shtetasja I.H., e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë, nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”.