Tirana është gati të mirëpresë rreth katër mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 8-të Maratonës më 20 tetor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët dhe vullnetarët e ngjarjes më të madhe sportive të vitit, për të koordinuar detajet e fundit dhe mbarëvajtjen e eventit.
“Maratonën e Tiranës e kemi kthyer në traditë prej 8 vitesh. Do të vijnë vrapues nga Andorra, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Hungaria, India, Irlanda, Japonia, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Anglia, dhe kur shikoj se kemi vrapues edhe nga Meksika, Maroku, Kenia, Kanadaja, do të thotë se praktikisht po na vjen e gjithë bota në shtëpi. Ne e dimë edhe nga historia e Luizës apo Taulantit, se një atlet është edhe një influencer. Praktikisht, kemi një super mundësi që këtë Tiranën që e njohim për jetën, gjallërinë, kulinarinë, e mikpritjen, ta njohë e gjithë bota”, tha Veliaj.
Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për të Tiranës për kufizimin e qarkullimit të lëvizjes në disa prej rrugëve në kryeqytet në ditën e maratonës.