Veliaj takon Michael Granoff: Gati projekti për shkollën “Ecole 42” që do të përgatisë të rinjtë në fushën digjitale

Tirana

Veliaj takon Michael Granoff: Gati projekti për shkollën “Ecole 42” që do të përgatisë të rinjtë në fushën digjitale

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 14:57
Pamje nga takimi

Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan do të nisin punën për hapjen e shkollës “Ecole 42” te Piramida e Tiranës dhe implementimin e projektit “Plug & Play” ku Tirana do të jetë epiqendra për Europën juglindore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u takua me kryetarin e bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, ku diskutuan lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit për shkollën franceze që do përgatisë të rinjtë e Tiranës në fushën digjitale. Veliaj foli edhe projektin që lidh Parkun e Tiranës dhe atë të Farkës, pa pasur nevojë të futesh në trafikun e kryeqytetit.

“Këtë javë pas vendimeve të këshillit bashkiak ne do kalojmë te “Shkolla 42”, shkolla e famshme e Parisit me të cilën Kryeministri Rama dhe Presidenti Macron dakordësuan parimisht vjet, Këshilli Bashkiak e kaloi javën e kaluar. Kështu që me Fondacioni Shqiptaro-Amerikan ne do të firmosim marrëveshjen e bashkëpunimit që ajo që fillon me “Micro Follie”, vazhdon me Tumon dhe për moshën mbi 18 vjeç të jetë “Shkolla 42” ajo që i përgatit të rinjtë e Tiranës. Jemi i vetmi qytet ku të gjitha këto kurse janë falas”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, Bashkia e Tiranës e konsideron një fëmijë të lindur në Tiranë që ka një të drejtë njerëzore që të përgatitet falas për punët e të ardhmes në fushën digjitale. Ai tha se surpriza tjetër për Tiranën është “Plug & Play”, organizata më e madhe e Start Upeve në Kaliforni. “Ka qenë një insistim i Michael dhe bordit që ne të kemi një partneritet me “Plug & Play”. Ata kanë marrë një vendim që Tirana do të jetë epiqendra dhe selia e tyre për të gjithë rajonin e Europës juglindore. Dhe qershia mbi tortë është se ne kemi punuar në dy parqe, Parku i Liqenit të Tiranës dhe Parku i Liqenit të Farkës. Do të lidhim këto dy mushkëri me njëra – tjetrën dhe për t’u siguruar që një paketë me vizitorë mund të vizitojë Liqenin e Tiranës dhe të lidhet pa u futur nëpër trafik për të shkuar te Liqeni i Farkës”, sqaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Nga ana e tij Granoff tha se bashkë me Kryebashkiakun Veliaj, kanë krijuar një portofol projektesh, kryesisht në fushën e edukimit digjital për fëmijët. “Jam i lumtur që ndodhem me Kryetarin e Bashkisë në fillim të mbledhjeve të Bordit të Fondacionit këtë javë në Shqipëri, duke filluar nga Tirana. Dhe është e vërtetë që bashkia dhe kryetari kanë krijuar një partneritet të rëndësishëm me Fondacionin. Dhe ne tani kemi krijuar një portofol të tërë projektesh, kemi programe thelbësore shumë të rëndësishme. Ju përmendët, “Ecole 42” dhe “Plug & Play”, për të krijuar me të vërtetë një portofol të programeve të edukimit digjital, duke filluar nga fëmijët që janë të vegjël, mendoj, pesë ose gjashtë vjeç dhe deri në moshën madhore. Dhe të qenit në gjendje për t’u ofruar atyre mundësi pavarësisht nga aftësia e tyre për të paguar, është një pjesë e rëndësishme, mendoj, e misionit tonë si Fondacion dhe padyshim është e rëndësishme për Bashkinë dhe për Kryetarin. Ne sapo kemi filluar dhe kemi mësuar shumë nga ajo që kemi bërë dhe tani jemi mjaft ambicioz për projektet që mund të bëjmë së bashku për të ecur përpara”, deklaroi Granoff.

“Ecole 42”është një program edukimi në fushën e teknologjisë dhe revolucionit që do të jetë falas për të rinjtë mbi 18 vjeç, edhe në rast se nuk kanë eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Ky program është i pranishëm në 31 shtete të tjera, dhe krijon vazhdimësi për të rinjtë që përfundojnë kurset e TUMO Tirana. Ndërsa Plug & Play, një prej akseleratorëve më të mëdhenj në botë pritet të nxisë inovacionin në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat