Këtë të diel rikthehet në kryeqytet maratona e përvitshme, e cila prej 8 vitesh është kthyer në një traditë në Tiranë. Rreth 5 mijë atletë nga vendi dhe bota do të garojnë në katër kategori.
Maratona e plotë është 42 kilometra ku do të marrin pjesë sportistë profesionistë, 21 kilometra dhe 10 kilometra për të apasionuarit pas sportit dhe 5 kilometra një garë sensibilizuese për personat me aftësi ndryshe.
Edicioni i tetë i Maratonës së Tiranës do të zgjasë rreth pesë orë dhe në perimetrin ku do të zhvillohet gara ndalohet qarkullimi i automjeteve.
Nga ora tetë e mëngjesit deri në 4 të pasdites do të bllokohen për makinat sheshi “Nënë Tereza” I gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pal II”, “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri” me kryqëzimin e rrugës së “Elbasanit”, rruga “George W Bush”, “Abdi Toptani”, bulevardi “Zogu I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, rruga e “Durrësit”, rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark”, nga kryqëzimi me urën e Gjykatës Tiranë, deri te Ura Taiwan duke përfunduar në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”.
Ndryshime gjithashtu do të pësojë dhe itinerari i lëvizjes së autobusëve urbanë.