Policia e Tiranës ka vënë në pranga 6 persona për vepra të ndryshme penale në kryeqytet, nga vjedhja tek përndjekja dhe drejtimi i makinës në gjendje të dehur.
Sipas njoftimit të policisë, një 28-vjeçar u arrestua pasi u kap me sasi lënde narkotike kanabis. Një 54-vjeçare ra në pranga për veprën penale “vjedhje”. Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi përndoqi një grua dhe më pas u përfshi në debat me bashkëshortin e saj. Një tjetër u vu në pranga pasi ka përplasur një këmbësore, ndërsa 2 të tjerë u kapën në gjendje të dehur në timon.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ndaj të arrestuarve.
Njoftimi:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. Xh., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi shërbimet e Policisë i gjetën gjatë kontrollit fizik sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit:
– B. A., 54 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa produkte në një qendër tregtare, në rrugën “Abdi Toptani”;
– A. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin B. H., 45 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi A. M., dyshohet se ka përndjekur një 40-vjeçare dhe më pas është konfliktuar fizikisht me bashkëshortin e 40-vjeçares, shtetasin B. H.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
– Y. Gj., 51 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bulevardin “Nënë Tereza”, duke drejtuar automjetin ka aksidentuar shtetasen V. K., 79 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
– D. Q., 47 vjeç, dhe M. Ll., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë.