Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi hidhnin inerte në zona të ndryshme duke shkaktuar ndotje mjedisore, ndërsa katër të tjerë janë proceduar penalisht.
Policia e Tiranës njofton se tre të arrestuarit janë gjobitur me nga 1.5 milionë lekë të reja (ose ndryshe 15 milionë lekë të vjetra) secili.
Policia ka bllokuar gjithashtu edhe dokumentet e 6 kamionëve me të cilat janë konstatuar këta shtetas, ndërsa automjetet iu janë lënë në ruajtje pronarëve të tyre.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara maksimalishit për goditjen e krimeve mjedisore dhe sundimin e ligjit në territor.
Arrestohen 3 shtetas që u kapën në flagrancë duke shkarkuar inerte, në vende të ndryshme, si dhe procedohen penalisht 4 të tjerë.
Për secilin rast të konstatuar është mbajtur masë administrative nga IKMT me vlerë 15 milionë lekë të vjetra.
Shërbimet e komisariateve të Policisë në varësi të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë intensifikuar kontrollet në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Gjatë kontrolleve të territorit për garantimin sa më të sigurt dhe të pacenuar nga krimet mjedisore, janë mbajtur në monitorimin e shërbimeve të Policisë, vende në të cilat dyshohej se kryhej aktivitet i paligjshëm në fushën e krimeve mjedisore.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, janë konstatuar duke transportuar e shkarkuar inerte dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
– Q. L., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga nenet 199 dhe 200 të Kodit Penal;
– A. R., 27 vjeç, F. N., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit L. M., 58 vjeç, F. H., 52 vjeç, P. V., 29 vjeç, dhe M. M., 40 vjeç.
Dokumentet e 6 automjeteve (kamionë) me të cilat janë konstatuar këta shtetas, janë bllokuar, ndërsa automjetet iu janë lënë në ruajtje pronarëve të tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.