Nga Kopshti Botanik te transformimi i akuadromit, Veliaj prezanton disa nga projektet në fokus të buxhetit për vitin 2025

Tirana

Nga Kopshti Botanik te transformimi i akuadromit, Veliaj prezanton disa nga projektet në fokus të buxhetit për vitin 2025

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 18:51
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi disa nga projektet kryesore të investimeve për vitin e ardhshëm, duke e vënë theksin te ndërtimi i shkollave të reja, pa lënë pa përmendur edhe një sërë projektesh të tjera që ka në fokus buxheti 2025. Veliaj tha se numri i shkollave të reja të ndërtuara në 10 vitet e fundit do ta kalojë shifrën 50.

“Duam të shtojmë shkollat te Njësia 13. Sapo kemi prokuruar 3 shkollat e para për t’u ndërtuar në zonën e Astirit ose lagjja ‘Rilindja’. Me gjithë atë sherr tek Astiri, por sa mirë që u bë edhe Unaza, sa mirë që u bënë edhe lagjet. Tani fillojnë edhe tre shkollat e reja, por duam të bëjmë të njëjtën gjë te Liqeni i Thatë, pranë Kopshtit Botanik, në një pronë të bashkisë. Nuk po flas për brenda Kopshtit Botanik sepse plas histeria, por bëhet fjalë në cep të Kopshtit Botanik, dhe një tjetër te shkolla “Dritëro Agolli”, që është midis pallateve te Parku Olimpik. Këto janë tre investime për pjesën e njësisë tuaj dhe besoj se me 45 shkollat që i kemi bërë tashmë, do të shkojmë në 50 shkolla të reja në të gjithë Tiranën”, tha Veliaj.

Ai shtoi se një tjetër investim i rëndësishëm është ai për krijimin e një hapësire që mund të shfrytëzohet për qendër panairesh. Ndërsa, theksoi se ky buxhet synon të mbyllë punën në disa ndërtesa dhe hapësira ikonike të Tiranës, të cilat nuk janë përfunduar për shkak të gjyqeve.

“Pas Tregut Agro-Ushqimor, qeveria ka hapur një konkurs paraprak për të pasur një qendër të madhe të panaireve, për ata që duan të reklamojnë produkte industriale dhe ta trajtojnë Tiranën si pikën hyrëse të të gjitha panaireve në Ballkan, Kjo do t’i shtonte më shumë turistët, do sillte më shumë biznes në Tiranë. Përveç kësaj, janë edhe disa hapësira të tjera ikonike, si Kopshti Botanik, në të cilin ende nuk kemi investuar sepse jemi në gjyq e mezi pres të nisim punë”, tha Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku theksoi se një tjetër projekt i rëndësishëm është transformimi i akuadromit, për t’u kthyer në një hapësirë kursesh sportive.

“Atë hapësirë e morëm nga privatët dhe sot është si dita me natën me ç’ka qenë, por si dizajn është ende i viteve ’90. Jemi duke përgatitur një konkurs – njësoj siç po bëjmë për qendrën për trajtimin e fëmijëve me spektrin e autizmit, që do të ndërtojmë në Njësinë 2 – për transformimin e hapësirës së akuadromit. Do të shohim idetë më të mira, por është shumë e rëndësishme ta bëjmë pesë herë më të bukur, më të madhe dhe më ndjellëse këtë hapësirë”, përfundoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat