Numri i vizitorëve u rrit me 66.1 % në muajin maj, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas të dhënave më të reja të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Sipas raportit të INSTAT-it, numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 41.6 %, ndërsa numri i vizitorëve jo-rezidentë është rritur me 88.6 %.
Referuar të dhënave, numri i net-qëndrimeve është rritur me 87 %, në krahasim me majin e 2021-shit.
Numri i vizitorëve rezident, të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut, ka shënuar rritje me 45.4 %.
Normat neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët matin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
Gjatë majit, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 16 %, kundrejt 9.6 % sa ishte në maj 2021.
Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 15.3 %, kundrejt 8.6 % sa ishte në muajin maj 2021. /Atsh