Kalaja e Rozafës, një destinacion i rëndësishëm historiko-kulturor në Shkodër po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj ndërsa nuk resht edhe interesi i vendasve.
Vizitat turistike në Kalanë e Rozafës vijuan trendin rritës gjatë muajit qershor, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj.
18.078 vizitorë mikpriti kalaja e Shkodrës gjatë muaji qershor, shifër e cila është 4,5% më e lartë se ajo e një viti më parë.
Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.
Kalaja e Shkodrës është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme.