Të ndryshojmë veten për një turizëm të qëndrueshëm

Turizëm

Të ndryshojmë veten për një turizëm të qëndrueshëm

Nga: Llesh Ndoj Më: 9 korrik 2024 Në ora: 22:46
Llesh Ndoj

Turizmi është bërë vitet e fundit industria kryesore fitimprurëse në vendin tonë. Fatmirësisht jemi akoma në një trend rritës, por që ky trend të ruhet e kjo industri të bëhet përherë e më e qëndrueshme, shumëçka nga ana jonë duhet të ecë në të njetën kahje, e me ritme më të shpejta se rritja e numrit të turistëve.

Natyrshëm duhet të zhvillohet infrastruktura, qoftë ajo rrugore, qoftë ajo akomoduese, por përmirësime kërkohen edhe në rrjetin elektrik e atë të ujësjellësit, ndryshime që jam shpresëplotë se po ndodhin, edhe pse me probleme e ndoshta me ritme të ngadalta. Por ndryshimi më i madh që kërkohet, është ai në fushën mentale, ndryshim që kërkon kohë dhe që vjen i avashtë për njëmijë e një arësye.

- Ndryshimi mental kërkohet të bëhet nga e gjithë shoqëria, për t’a përshtatur veten me këtë status të ri të ekonomisë, e kjo jo vetëm në vendin tonë. Duhet të përshtatim ekonominë e vogël e të madhe bujqësore me nevojat e tregut, duke hyrë në marrëdhënie kontraktuale me strukturat akomoduese, duhet të jemi mikpritës në rrugë, qytet, fshat, plazhe e kudo, duke krijuar një mjedis të kendshëm për pushuesit e të mos ndodhë një lloj proteste, qoftë edhe e heshtur ndaj tyre, duhet të kujdesemi veçanërisht për pastërtinë e të përmbahemi nga disa sjellje tipike shqiptare, si reagimet me zë të lartë, muzika shurdhuese tallava, sjella rrugaçërore në sherbim dhe qarkullim etj. Ne e njohim vendin, e dimë se na mungojnë guidat turistike, infopointet, tabelat treguese etj, ndaj s’duhet të përtojmë t’i orientojmë turistët me aq sa mundemi, që ata ta shijojnë në maksimum kohën e tyre këtu, e të rikthehen përsëri. Tek rikthimi i tyre, duhet parë suksesi ynë afatgjatë në industrinë turistike. Ne duhet të përshtatemi, se mund t’a bëjmë këtë dhe kemi nevojë për këtë industri, e të mos pretendojmë që ata, turistët, duhet të përshtaten, pasi ata vijnë për të pushuar e nuk kanë kohë të përshtaten me tekat tona… Ndryshe ata shkojnë atje ku përshtatjen, këtë e kanë më të lehtë, por pasojat bie mbi ne.

- Ndërsa themi që gjithë shoqëria duhet të bëj ndryshim mental, e të përshtatet me zhvillimet në këtë fushë, duke i parë turistët si dobiorurës për gjithë vendin, jo vetëm ata që i strehojnë e janë përfitues të drejtpërdrejt prej tyre, e larg mentalitetit komunist që i shihte ata si “armiq”, kjo situatë paraqitet emergjente për personelin akomodues e shërbyes. Kush ka patur mundësinë të shoh e shijojë shërbime të tilla jashtë vendit, e di mjaft mirë si është ndjerë kur në aeroport kanë parë njerëz me tabela me emrin e tyre të shënuar, kur u është shërbyer duke iu transportuar çantat tek makina pritese e deri në dhomën e hotelit, kur u janë gjendur pranë për çdo informacion e nevojë me mirësjellje etj. Turisti duhet ta shoh veten i shërbyer. Vetëm kështu ai mund të rikthehet…

Po ç’ndodh konkretisht?

Ka abuzime nga më të çuditshmet, nisur nga çmimet diferenciale, nga sjellja e tipit “po deshe” e deri tek zeri i ngritur e kërcënues. As në hotele e plazhe nuk gjenë informacion askund për çfarë ofrohet e me çfarë çmimi ofrohet ky sherbim.

Në një rast, për etikë nuk po e përmend vendin, kam parë me sytë e mij kërcënimin e pronarëve të lokaleve ndaj ankesave të turistëve sidomos për udhqimet, duke dhënë ultimatume: - Po deshe kështu, ndryshe… Në raste të tjera vërehen abuzime maksimale, sidomos në çmime. Hotelet nuk afrojnë parkim për automjetet, ose të rjepin me pagesa të çuditshme e të papranueshme edhe pse në sipërfaqe thjesht të zaptuara, pa asnjë transparencë e pa asnjë siguri, e në shumë raste shezllonet,çadrat dhe parkimi i mjetit ia kalojnë pagesës së hotelit!

Është e pafalshme kjo! Kam qenë vetë deshmitar kur turistit vendas ose i huaj i kerkohen 15 euro për një shezllong e 5 euro parkim automjeti në diell e në tokë gjithë pluhur e inerte, qoftë edhe për një orë… - Po deshe, ndryshe…dhe të tregon rrugën nga duhet të kthehesh!

Më e keqja! Askund nuk shërbehet me kupon tatimorë, as në parkingje, as tek shezllongjet, as në njësi tregtimi! Kjo ngjanë me një grabitje të hapur që dekurajon pushuesit, sidomos ata të huaj, të cilët nuk e tolerojnë lehtë një situatë të tillë, njëherit dëmtojnë edhe ekonominë kombëtare. Kujtoj këtu se 10 vite më parë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në parqet e hoteleve kishte vende parkimi e në hyrje të tyre një punonjës sherbimi kishte shtrirë kabllot dhe kishte vendosur kasën fiskale në tavolinë dhe pajiste klientët me kupona tatimor për çdo mjet që hynte. Sot mundësitë janë të shumta. Ka aparatura automatike që shërbejnë, duke regjistruar gjithshka e raportuar ato në organet tatimore shtetërore. Kjo është lehtesisht e kontrollueshme, por… Të gjendur në rrethana të tilla, turistët ndoshta zgjedhin të heshtin, por shumica nuk rikthehen më, e kjo rrezikon faktoret e zhvillimit, e më tej, bumi turistik të shndërrohet në bumerang.

Po shteti që flet me aq eufori për turizmin, ku është shteti?

Te vjen turp kur sheh gjithë atë prezencë policore në rrugë, që “fshihen” hijeve, përveçse kur në telefon sinjalizohen se po kalon ndonjë shef, apo zyrtarë i lartë shtetërorë, ndërkohë që ngecjet në trafik e aksidentet shtohen shumëfish. Edhe kompanitë e sigurimeve duhet të jenë më operative në këtë situatë në rast aksidentesh, duke ua lehtësuar e përshpejtuar atyre shërbimin. Ka shumë e shumë gjëra për t’u ndryshuar, por ndryshimi duhet të fillojë tek vetja, tek secili që është i angazhuar në këtë sektor, por edhe tek çdo qytetar. Është më i mundshmi ndryshim, por edhe më i vështiri, megjithatë ky ndryshim iu hap e lehtëson udhën të gjitha ndryshimeve të tjera.

Sot! Nesër do të jetë vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat