I bekuar nga natyra, dhe i lakmuar nga turistët e huaj Ksamili është padyshim një nga destinacionet më të kërkuara në Shqipëri, për pushimet e verës. Por në krahasim me vitet e kaluara, operatorët turistik tregojnë se ka një rënie me rreth 40% të numrit të turistëve për periudhën e fillim-korrikut.
Madje edhe turistët e huaj që pushojnë në Ksamil, kanë rezervat e tyre sa i përket çmimeve dhe mungesës së plazheve publike. Sipas të dhënave, në këtë periudhë të muajit, shezlonët në plazhet e Ksamilit variojnë nga 20 deri në 100 euro.
“Vij nga Italia, me pëlqen shume këtu, çmimet janë relativisht të mira, por diçka që nuk shkon këtu janë plazhet, të cilat janë të gjitha private, në Evropë ka shumë plazhe publike ku mund të akomodohesh me gjërat e tua. Këtu shezlonët janë të shtrenjtë shumë. Mora një apartament me çmim të mirë për të kaluar pushimet, ushqimi është i mire dhe çmimet deri diku mire, por janë te njëjtat çmime si në Itali”, tha një pushues.
“Çmimet deri tani janë normale, por jemi ende në mes të sezonit, ndërsa ne vazhdim të korrikut dhe në gusht mund të rriten si ne periudhën e kulmit te sezonit. Më pëlqen shume këtu, uji është shume i mire, kam dy fëmijë te vegjël qe po kënaqen shume këtu. Çmimet janë të larta dhe shërbimi është pak i ngadalte në fakt” tha një turiste.
Në sytë e të huajave Ksamili është një destinacion që ja vlen ti rikthehesh, por industria e turizmit dhe autoritet lokale duhet ta përmirësojnë shumë faktorë.
“Unë do te kthehem përsëri por mendoj qe ju duhet te përmirësoni infrastrukturën dhe vendet e parkimit sepse janë kaq shume njerëz, shume shtëpi, dhe duhet te përmirësoni dhe zhvilloni këto gjera” tha një tjetër pushues.
Ksamili vit pas viti shoqërohet me polemika, nëse çmimet dhe infrastruktura e qytezës janë apo jo në sinkron me atë që ofrohet.