Debati për turizmin, përfshihet edhe Edi Rama, publikon video të plazheve të Velipojës – e fokuson edhe flamurin e Kosovës

Turizëm

Debati për turizmin, përfshihet edhe Edi Rama, publikon video të plazheve të Velipojës – e fokuson edhe flamurin e Kosovës

Më: 13 korrik 2024 Në ora: 16:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas publikimit të disa fotografive e videove të plazheve të zbrazura në Shqipëri që u interpretuan se ka mungesë të turistëve për shkak të çmimeve të larta, në këtë debat është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.

Në një video të publikuar në faqen e tij të Facebook ai shfaq plazhin e Velipojës më plot pushues, ndërsa në fillim të pamjeve fokuson edhe flamurin e Kosovës.

Plazhi i Velipojës është ndër destinacionet më të frekuentuera në Shqipëri nga pushuesit kosovarë.

Në Shqipëri ka nisur një debat nëse çmimet e shtrenjta po largojnë turistët, ndërsa ka edhe të tjerë që e kundërshtojnë këtë.

Rama shtoi se Shqipërisë nuk i duhet thjesht që të rritet numri i turistëve të huaj, por duhet që vendi të kthehet në një destinacion për të gjithë kategoritë e turistëve. Rama në fund të muajit prill kishte thënë se Shqipërisë nuk i duhet turizëm masiv, duke e theksuar se është më mirë që aty të shkojnë 100 mijë turistë që shpenzojnë më shumë sesa 1 milion që shpenzojnë më pak.

Ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjesht të rrisim numrin e vizitorëve të huaj, ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë, ku nuk janë numrat në pamje të parë që kanë rëndësi, por është cilësia e numrave. Çfarë do të thotë cilësia e numrave, do të thotë që në varësi të konsumit të një turisti përcaktohet edhe sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes, që të kesh 1 milion turistë që konsumojnë pak çdo ditë, apo sa interes ke që të kesh 100 mijë turistë më shumë që konsumojnë shumë çdo ditë“ kishte thënë Rama.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat