Debati nëse plazhet në Shqipëri janë të mbushura me njerëz apo bosh, u zhvendos te shqetësimet për rritjen abuzive të çmimeve dhe dëmi që ato mund t’ia shkaktojnë turizmit.
Këtë shtrenjtim e pranoi si Qeveria, ashtu edhe pushteti vendor, ndërkohë që operatorët turistikë kanë argumentet e tyre se përse ndodhi.
Kryeministri Edi Rama u kërkoi kryebashkiakëve të Vlorës dhe Sarandës - qytete në jug të Shqipërisë, ku u tha se ka më së shumti rritje abuzive çmimesh - që të zhvillojnë takime me operatorët turistikë, për t’u thënë se një gjë e tillë “është e padrejtë dhe strategjikisht vetëvrasje për ta”.
Dhe, duket se ky mesazh u reflektua me një ulje çmimesh. Kështu thonë, së paku, autoritetet lokale dhe operatorët turistikë.
Kryebashkiaku i Vlorës: Po rishikohen çmimet, por ka ende abuzime
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, ishte zyrtari i parë vendor që e denoncoi rritjen abuzive të çmimeve në jug të Shqipërisë.
Pasi shqetësimi u ngrit edhe në nivel qendror, ai thotë se ndërmori hapa për ta frenuar atë.
“Kemi zhvilluar takime [me operatorët turistikë] dhe kemi diskutuar për një dakordësi në lidhje me çmimet, që të mos kthehen në bumerang dhe të mos largohen turistët që vijnë”, thotë Dredha për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, çmimet kanë nisur tashmë të ulen, porse ka ende “disa struktura biznesi që abuzojnë”.
“Nuk them se çmimet janë ekzagjeruar, së paku në Lungomare, [pjesa qendrore]. Rritja e çmimit të çadrave është për dy euro krahasuar me një vit më parë. Çmimi ka qenë 800 lekë [8 euro] dhe ka shkuar në 1000 lekë [10 euro]. Por, ka struktura të tjera që pretendojnë se kanë ofertë më të mirë apo shërbim më të lartë. Aty ka abuzim. Çmimi i çadrës mund të arrijë në 2500 lekë [25 euro]. Kjo duhet të ndryshojë”, thotë Dredha.
Një tjetër problematikë që ai thotë se ka ndeshur gjatë inspektimeve në terren, është edhe çmimi i lartë për makinat në parkimet private.
“Nuk mund të paguhet një vend-parkim sa gjysma e asaj që paguhet për një dhomë hoteli. Për këtë shqetësim është ngritur një task-forcë që do t’i evidentojë të gjitha rastet dhe do të merren masa”, thotë kryebashkiaku i Vlorës.
Shqetësime që kërkojnë zgjidhje për të, janë edhe cilësia e shërbimit dhe mungesa e punëtorëve.
Vasil Bedini, udhëheqës i operatorëve turistikë në Vlorë, konfirmon se në takimet konsultative me përfaqësuesit e pushtetit vendor, pas kritikave të kryeministrit Rama, është rënë dakord që të ketë një rishikim të çmimeve.
Sipas tij, rritje çmimesh ka pasur në zonat e jugut, Dhërmi-Palasë, dhe jo në qytetin e Vlorës.
“Duhet një strategji e qartë për vitet e ardhshme dhe takimet duhet të jenë më të shpeshta. Janë liruar shumë plazhe që kanë qenë të zaptuara. Janë kthyer në publike. Do të rishikohet në fund të vitit prapë paketa e taksave vendore për hapësirat publike, që të kemi çmime reale dhe oferta turistike më të ulëta”, thotë Bedini për Radion Evropa e Lirë.
Pse u rritën çmimet dhe kush abuzoi?
Bedini numëron disa arsye përse, sipas tij, disa biznese abuzuan me çmimet e disa të tjera bënë një rritje që e cilëson modeste.
“Disa operatorë turistikë që nuk janë të lidhur në vazhdimësi me sezonin, kanë menduar të pasurohen në një vit. Por, sektori i hotelerisë, në përgjithësi, ka pasur një ngritje jo më shumë se 10% dhe kjo lidhet me rënien e euros. Vjet, euroja ishte 120 lekë, këtë vit është 92 lekë. Ne i kemi 90% të të ardhurave në euro dhe 100% të shpenzimeve në lekë”, thotë Bedini.
Ai shton se Vlorën dhe pjesën tjetër të jugut e kanë zgjedhur kryesisht kosovarët e diasporës dhe nuk pret që sivjet numri i tyre të ndryshojë.
Eksperti: Jo vetëm shifra, por analizë
Eksperti i turizmit në Shqipëri, Altin Sholla, e vlerëson marketingun që i bëhet turizmit shqiptar, por thotë se mungon analiza.
“Qeveria dhe institucionet vendore duhet të ndjekin politika këshillore me ekspertë dhe duhet të merren masa që problematika të tilla si sivjet me rritjen e çmimeve, të mos përsëriten. Marketingu që bëhet, është në kohën e duhur, por duhet analizë se çfarë turistësh na vijnë, si ta marrim më të mirën prej tyre dhe, më pas, si t’i eliminojmë tendencat abuzive”, thotë Sholla për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo do të thotë që ne e sjellim turistin te dera, por duhet të mendojmë edhe si ta mbajmë”, shton ai.
Sipas tij, oferta duhet të jetë e mirëpërcaktuar, sepse “nëse ka tendenca abuzive me çmimet dhe nuk ka shërbime suplementare”, atëherë “turisti vjen, sheh dhe largohet”.
Ndikimi financiar në atë rast “nuk është i madh, nuk është ai që pritet”, thotë Sholla, udhëheqës i institucionit arsimor “Tirana Business University”.
Po sipas tij, statistikat tregojnë se në mars dhe në prill ka pasur rritje të numrit të turistëve - gjë që tregon se “ata nuk vijnë vetëm për vijën bregdetare, por edhe për të vizituar qytete si: Berati, Gjirokastra, Tirana, Shkodra”, të cilat kanë një trashëgimi të pasur kulturore.
“Duhet ta njohim kategorinë e turistëve që vijnë në Shqipëri, në mënyrë që kërkesa dhe oferta të balancohen. Duke njohur mirë turistin që vjen, i harmonizojmë edhe paketat. Nuk mjaftojnë më statistikat se sa erdhën, por kohëzgjatja, sa rrinë apo sa harxhojnë”, thotë Sholla.
Qeveria e Shqipërisë pret që këtë vit vendin ta vizitojnë rreth 14 milionë turistë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara prej saj, të cilat përfshijnë periudhën nga janari i këtij viti deri në qershor, Shqipërinë e vizituan 4.5 milionë turistë, ose 34 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vitin e kaluar, media ndërkombëtare, të tilla si CNN, raportuan për Shqipërinë, duke e renditur si një ndër destinacionet më interesante të atij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.
Këtë vit, tërhoqi vëmendjen publikimi i disa fotografive dhe videove në rrjetet sociale, që, sipas atyre që i shpërndanë, ishin të plazheve shqiptare me shumë pak njerëz ose të boshatisura./REL