Fluksi vazhdon të jetë në rritje gjatë këtyre ditëve në kufirin e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Vetëm në orët e para të së shtunës rreth 8 mijë persona janë futur në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Kosova dhe turistë nga vendet e rajonit.
“Jam nga Shkupi dhe bashkë me familjen time po shkojmë në Durrës, më sakte në Golem. Aty pushojmë prej tre vitesh. Është vend shumë i mirë e na pëlqen. Sigurisht që është edhe i lirë për nga ana ekonomike. Do te mbetet i preferuar jo vetëm për familjen time por edhe për shume maqedonas”, tha një turist.
Edhe në drejtim të Kosovës ka patur fluks të lartë pasi emigrantët po kthehen në familjet e tyre.
Vetëm gjatë korrikut, sipas policisë kufitare, janë regjistruar më shumë se 560 mijë hyrje në territorin e Shqipërisë përmes Morinit.
Nga ana tjetër, në doganën greke në Kapshticë janë krijuar radhë të gjata makinash sepse doganieret e vendit fqinj po punojnë vetëm me 3 sportele, ndryshe nga pala shqiptare që ofron shërbim me 6 sportele. Për pasojë, ata që duan të kalojnë drejt shtetit grek janë të detyruar të presin në radhë për më tepër se një orë.