Drishti mesjetar, gjurmët e të cilit gjenden rreth 15 km larg qytetit të Shkodrës, gëzon një pozitë gjeografike të privilegjuar që ka kushtëzuar krijimin e peizazheve natyrore mjaft të pëlqyeshme për turistët.
Ekipi i mirëmbajtjes së DRTK Shkodër, u përqendrua së fundmi në mirëmbajtjen dhe sistemimin e qytetit mesjetar të Drishtit, strukturat e objekteve publike mesjetare dhe pastrimin e rrugëkalimeve, për të krijuar lehtësi në vizitueshmërinë e tij.
Drishti gjendet në verilindje të qytetit të Shkodrës dhe përbëhet nga 4 lagje kryesore, një prej të cilave është lagjja Kala. Ky qytet është dëshmi e autoktonisë dhe vazhdimësisë nga Antikiteti i Vonë deri në ditët e sotme.
Është një nga qendrat më të rëndësishme të asaj periudhe. Shumë udhëtarë të njohur dhe të rëndësishëm kanë vizituar Drivastum-in, siç njihej dikur. Zona ka qenë objekt studimi prej kohësh dhe një qendër e rëndësishme e Mesjetës shqiptare. Gërmimet filluan në vitin 1988. Një vit më vonë u zbuluan konturet e një kishe që konsiderohet më e madhja e këtij qyteti.