​The Times: Shqipëria, destinacioni i pazbuluar i Mesdheut

Turizëm

​The Times: Shqipëria, destinacioni i pazbuluar i Mesdheut

Më: 12 gusht 2024 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Mos e quani Shqipërinë “Greqia e re” apo “Maldivet e lira”. Vija e saj bregdetare është plot me surpriza – dhe shtigjet me pamje përrallore ndodhen pikërisht në zemër të saj, shkruan Marianna Hunt në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

Ne kaluam nëpër të njëjtat pyje të dendura me pisha dhe bredha ashtu si Jul Çezari në vitin 48 p.e.s., gjysmë të nervozuar dhe të emocionuar nga mendimi se do të përballeshim me macet e egra, ujqërit dhe derrat e egër evropianë – që jetojnë mes pemëve të Parkut Kombëtar të Llogorasë në Shqipëri.

Papritur ne – partneri im, dhe unë – u surprizuam dhe mahnitëm nga malet përreth, luginat e veshura me pisha dhe ujërat bruz të detit Jon.

Ishim në mes të një prej ecjeve tona, të organizuara nga operatori turistik “Walks Worldwide”, dhe kjo pamje justifikonte të gjitha arsyet tona për të vizituar Shqipërinë.

Bregdeti i Jonit në Shqipëri ka tërhequr një numër në rritje udhëtarësh ndërkombëtarë vitet e fundit – falë fshatrave të përsosura si Ksamili, i cili ka plazhe të bardha të pacenuara, të konsideruara në Instagram si “Maldivet e Evropës”.

Megjithatë, e dija se në bregdetin e Shqipërisë kishte shumë më tepër se vetëm diell dhe rërë, duke përfshirë natyrën e pacënuar dhe trashëgiminë historike magjepsëse.

Sipas “Walks Worldwide”, kostot e përgjithshme për pushime në Shqipëri janë më lirë krahasuar me Greqinë.

Në restorante, ju mund të paguani rreth gjysmën e asaj që do të paguanit në Korfuz – i cili ndodhet vetëm 30 minuta larg me traget nga Shqipëria.

Në vend të kësaj, ne fluturuam për në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, dhe shijuam një udhëtim mbi tre orë me makinë deri në bregdet, peizazhin dhe pamjet mahnitëse të detit.

Ishim në një turne ecjeje me vetë-udhëzues që fokusohej në të ashtuquajturën Riviera Shqiptare.

Rruga ishte gjithashtu një kombinim i bukur i ecjes në pyjet me pisha dhe shëtitjeve përgjatë plazheve rreth Himarës, një qytet i njohur bregdetar.

Akomodimi ynë në Himarë ishte “Guest House Solive”. Bujtina ishte e thjeshtë, por e pastër, me një kopsht të vogël.

Në shëtitjen tonë të parë shkuam në fshatin me kalldrëm, Kudhës për të ndjekur shtigjet e barinjve të vjetër.

Këto na çuan nëpër ullishtat dhe livadhet e sherebelës ku aroma e kamomilit dhe barishteve ndihej sikur po nuhasnim infuzione çaji bimor.

Më në fund zbritëm në Qeparo, një tjetër fshat me shtëpi prej guri. U ulëm nën hijen e një lisi – duke admiruar pamjen e detit Jon.

Shëtitja nga fshati Lukovë në Borsh ishte një nga të preferuarat e mia, duke zbuluar ujëvarat dhe kishat e rrënuara – dhe papritur u gjendëm në një shtrirje të mrekullueshme si Buneci.

Ne gjithashtu u drejtuam në Parkun Kombëtar të Llogorasë, me një sërë malesh dhe livadhesh alpine me pamje nga Riviera.

Këto pyje të dendura dikur strehuan Jul Çezarin dhe ushtrinë e tij – ndërsa ai luftonte me rivalin e tij të madh Pompeun.

Një peizazh kaq i thyer – aq pranë plazheve ndihej shumë ndryshe nga ajo që kisha përjetuar në pjesë të tjera të Mesdheut.

Është një peizazh që ka mahnitur edhe romantikët si Lord Bajroni, i cili shkroi për Shqipërinë në poemën e tij epike “Childe Harold’s Pilgrimage”.

“Nën drejtimin e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara në botë. Ne ishim të shkëputur edhe nga Bashkimi Sovjetik”, na tha Elton Caushi nga “Albanian Trip”.

Dyshimet e Hoxhës për botën e jashtme është arsyeja që, sot, peizazhi i Shqipërisë është i mbushur me bunkerë ushtarakë betoni – vlerësohet të jenë më shumë se 700,000 – rreth një për çdo katër shqiptarë.

Përveç industrisë së saj në shpërthim të turizmit, kuzhina në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e preferuar, falë lulëzimit të fermave.

Udhëtuam me makinë në brendësi të vendit për rreth tre orë për të vizituar “Pupa Winery & Guesthouse” Veraria & Bujtina – e drejtuar nga vetë familja – e cila kultivon rrush autokton shqiptar, bishtajore dhe dhjetëra perime të ndryshme për restorantin.

Roze e bardhë e freskët dhe e bardhë kombinohet në mënyrë perfekte me pjatat me bazë perimesh plot shije dhe specat e ëmbël të mbushur me djathë kremoz.

Veraria gjithashtu ofron dhoma gjumi elegante me një kosto prej 74 euro.

Në bregdet, ushqimi ishte i një cilësie të ngjashme, por pak më i shtrenjtë. Për më pak se 18 euro secila, ne porositëm pjata me oktapod të pjekur në skarë dhe karkaleca, në “Taverna Velco”, Himarë.

Më pas, udhëtuam në një rrugë të tërthortë derisa arritëm në fshatin Tragjas – ku vizituam shtëpinë e Sofo Daupaj dhe bashkeshortës së tij Dhurata.

Dikur ekzistonte një komunitet i konsiderueshëm në këto kodra të largëta – por pasi forcat e rezistencës luftuan nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, zona u bombardua dhe u braktis.

Të mbijetuarit dhe pasardhësit e tyre tani jetojnë në shtëpi betoni në rrëzë të malit – me përjashtim të familjes Daupaj.

Në mbrëmje shijuam pamjet mahnitëse ndërsa dielli perëndonte dhe rrezatonte në livadhet e pafundme me sherebele – dhe lulet e verdha të tyre.

Mendova të provoja të bëja një foto, por më pas ndryshova mendim. Tingujt, erërat, shija e qumështit të ngrohtë të dhisë… kjo ishte një anë e Shqipërisë që asnjë postim në Instagram nuk mund ta pasqyronte.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat