Çmimet e larta nga strukturat akomoduese por dhe rënia e numrit të shqiptarëve nga Kosova që zgjedhin bregdetin Adriatik apo jon, bën që numri i turistëve në kulmin e sezonit veror të rezultonte deri në 30% më pak sipas turoperatorëve.
“Mbas konstatimit që edhe unë vetë kam bërë në terren, edhe nga kontakti me operatorët, kanë konfirmuar që kanë pasur rënie të numrit të turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thotë për A2 CNN Rahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar. “Rritja e çmimeve dhe mungesa e turistit të Kosovës”, shton Kasa, duke argumentuar arsyet e uljes.
INSTAT raporton se shqiptarët e Kosovës zunë rreth 11.8% të netëqëndrimeve në muajin qershor nga 12.6% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa muaji korrik rezultoi edhe me një ngadalësim të shifrave. “Kanë gjetur oferta të tjera më të lira, kryesisht në Greqi dhe Bullgari”, thotë Kasa.
Përveç numrit, strukturat shqiptare u përballën edhe me një “boomerang” të çmimeve. Ngritën çmimet por rezultuan me më shumë humbje. “Më kanë konfirmuar vetë hotelet, që kishin krijuar grupe WhatsApp-i ku rekomandonin njëri-tjetrin që të rrisnin çmimet se sivjet kishte kërkesë shumë të madhe. Gjë që nuk rezultoi e vërtetë. U bënë pishman. I ulën çmimet pastaj, por impakti ishte. Por e theksoj që në fund të fundit nuk është kryesore numri i turistëve, por të ardhurat”, thotë Kasa për A2 CNN.
Për të rikuperuar humbjet por edhe për të mirëpritur më shumë turistë, shoqatat shqiptare kërkojnë zgjatjen e sezonit edhe përtej shtatorit. Deri në korrik Shqipërinë e vizituan mbi 6.3 milionë turistët. Synimi I Ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2024 është 14 milionë të huaj, krahasuar me 10.1 milionë në 2023.