Kur bëhet fjalë për termin “overtourism” (mbiturizmi”), shumica e njerëzve para së gjithash mendojnë për Majorkën, Venecian ose Barcelonën. Në Spanjë, qytetarët në qendrat kryesore turistike kanë dalë madje së fundi edhe në rrugë dhe kanë protestuar kundër numrit të madh të turistëve – ndonjëherë duke përdorur madje edhe mjete të papranueshme.
Ata kanë kundërshtuar numrin e madh të turistëve, me shpjegimet se po ua rrezikojnë jetën dhe mirëqenien atje, sepse nuk janë në gjendje të paguajnë kostot e larta të apartamenteve apo ushqimeve.
Dubrovniku në krye
Në të njëjtën kohë, Barcelona nuk është as ndër 18 qytetet e para në listën europiane të portalit “Holiday” për nga numri i vizitorëve për frymë njeriu. I pari në këtë listë është Dubrovniku me 27 vizitorë për frymë njeriu që jeton atje. Ndërsa në vend të dytë është Rodosi grek me 26, e në vendin e tretë vjen Venecia me 21 turistë për frymë, ndonëse Venecia konsiderohet si një prej vendeve më të vizituara në botë. Me shtatë vizitorë për frymë, Parisi është vetëm në vendin e 12-të në këtë listë. Barcelona, qyteti ku protestuesit ndonjëherë ndjekin turistët me pistoleta uji, është në vendin e 20-të, pra shumë larg vendeve më të vizituara.
Berlini, qytetarët e të cilit janë ankuar prej vitesh se “nuk po mund të marrin frymë” nga turistët që vijnë në festa të ndryshme, renditet në vedin e 33-të me vetëm dy vizitorë për frymë njeriu në këtë qytet me rreth 3,6 milionë banorë. Por nëse merret parasysh vetëm numri i bujtjeve në një vend kundrejt numrit të popullsisë, atëherë në vendet e para renditen qendrat turistike në detin Egje, mbi të gjitha ishulli i Santorini në Greqi.
Kroacia dhe Mali i Zi kryesojnë
Për sa i përket numrit të turistëve për vitin 2023, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin, me 16.9 milionë, Kroacia është me distancë në vendin e parë. Franca me 100 milionë vizitorët e saj (ardhjet turistike ndërkombëtare) është në vendin e parë, përpara Spanjës me 85, 2 milionë, SHBA-së me 66,5 milionë dhe Italisë me 57,2 milionë. Por krahasuar me raportin e turistëve për frymë popullsie në këto vende janë larg Kroacisë.
Listën e vendeve me numrin më të madh të turistëve për frymë njeriu e kryeson pra Kroacia me 4.3 vizitorë për frymë. Mali i Zi është në vendin e dytë me afërsisht të njëjtat shifra. Pasohet nga Austria me 3.4 dhe Greqia me 3.1 turistë për frymë. Shifra të larta, shënohen në ato destinacione turistike ku jetojnë relativisht pak banorë vendas, që mund të thuhet edhe për Kroacinë e cila ka vetëm rreth 3.8 milionë banorë, por edhe Malit të Zi me vetëm rreth 600 mijë banorë.
Ka edhe qytet-shtete si Monako, Andorra apo Vatikani ku shifrat janë të larta. Në vende si Spanja me rreth 48 milionë banorë vijnë 1.8 turistë për banor. Në Itali raporti është 1:1 ndërsa Gjermania, ku jetojnë rreth 83 milionë banorë, nuk ka as gjysmën e numrit të turistëve për frymë njeriu.
Shqipëria nuk përmendet në këto analiza dhe vlerësime.