Qetësi, ecje dhe pedalim, Pogradeci tërheq turistë të huaj edhe në vjeshtë

Turizëm

Qetësi, ecje dhe pedalim, Pogradeci tërheq turistë të huaj edhe në vjeshtë

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Ashtu si zonat bregdetare edhe qyteti liqenor i Pogradecit kaloi një sezon veror mjaft të mirë, sa i takon numrit të lartë të vizitorëve, kryesisht të huaj.

Por ky fluks, ndonëse jo me të njëjtin vrull po vijon edhe gjatë muajit shtator dhe prenotimet premtojnë për numër të kënaqshëm vizitorësh edhe gjatë muajit tetor, raporton A2.

Vetë turistët tregojnë se perse e zgjedhin Pogradecin në këtë periudhë vjeshte. “Jam nga Republika Çeke. Kemi ardhur me avion, kemi marrë një makinë me qira dhe duam të eksplorojmë Shqipërinë. E kemi nisur nga Pogradeci, pastaj në Tiranë. Nga Tirana kemi ardhur në Pogradec për të parë liqenin dhe bukuritë natyrore. Me pas do të shkojmë në Gjirokastër. Ajo që na tërheq është qetësia.”

“Nuk e prisnim këtë lloj turizmi në Shqipëri. Pushimet po shkojnë kaq mirë, ka qetësi, çmimet janë shumë të lira, njerëzit shumë mikpritës. Kishim dëgjuar që Pogradeci është plot në verë dhe zgjodhëm të vinim tani në vjeshtë. Është perfekte.”

Por çfarë mund të ofrojë tjetër Pogradeci në këtë periudhë për grupet e turistëve.

Turistët gjatë këtij sezoni mund të bëjnë shëtitje të ndryshme me biçikletë, duke përfshirë këtu vijën liqenore, nga Tushemishti deri në Lin. Mund të bëjnë shëtitje të ndryshme në natyrë, hiking në shtigjet e ndryshme malore që Pogradeci tashmë i ka të shënuara, siç është shtegu Tushemisht-Peshkëpi, Alarup-Mali i Thatë apo Dishnicë-Liqenet e Lukovës”, tha për A2 CNN guida turistike, Gani Bego.

Sipas të dhënave zyrtare përgjatë periudhës Janar-Gusht 2024 në Pogradec janë akomoduar 95.800 vizitorë, rreth 10 për qind më shumëse e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat