Turizmi në vendin tonë nuk po njeh më stinë.
Vizitorët e huaj vijnë në çdo kohë, për të kaluar disa ditë pushimi apo thjesht edhe një fundjavë në kryeqytet. Kushtet klimaterike janë avantazh për vendin tonë, për tu vizituar në 365 ditët e vitit.
“Kjo ka qenë një periudhë fantastike për Tiranën sepse mjafton të shohim kudo turistë me grupe të organizuara por edhe turistë individual që e vizitojnë Tiranën edhe në këtë periudhë atipike për turizmin. Linjat ajroje janë shtuar, destinacionet janë shtuar dhe turistët vijnë edhe qoftë për një fundjavë në kryeqytet. Prandaj themi që Tirana është kthyer realisht në një epiqendër dhe kryeqytet pikë referimi në rajon për pjesën turistike.”, tha Mirela Kocollari, Drejtoreshë e promovimit të qytetit.
Paketa turistike që ofron Tirana është e larmishme duke nisur nga eventete kulturore deri tek argëtimi në natyrë.
“Nuk kemi vetëm turizmin kulturor, është edhe kulinaria, pjesa e zonës rurale, e sporteve të ndryshme por kryesisht janë edhe eventet e mëdha që tërheqin vëmendje. Diku në një galeri ka një ekspozitë fotografike, diku një diskutim me një artist, diku një shfaqje filmi e kështu me radhë. Kështu që Tirana nuk ngelet asnjëherë pa evente dhe argëtim edhe në muajt që fillojnë të jenë më të freskët gjatë vitit.”, tha më tej Mirela Kocollari, Drejtoreshë e promovimit të qytetit
Tirana mund të konsiderohet dhe si një pikë gjeografikisht komode, pasi brenda 30 minutave mund të gjendesh pranë bukurive natyrore, që të ofrojnë mundësi relaksi dhe argëtimi. Kalaja Petrelës, Liqeni Bovillës, Mali Dajtit, Kalaja e Prezës, Ujëvara Shëngjergjit janë vetëm disa prej pikave që turistët bëjnë pjesë të itinerarit të tyre për të njohur dhe shijuar kryeqytetin shqiptar.