“The Mirror”: Shqipëria destinacion tërheqës edhe në dimër

Turizëm

“The Mirror”: Shqipëria destinacion tërheqës edhe në dimër

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

“Po kërkoni destinacionin më të mirë për të udhëtuar, me diell dhe plazhe me rërë? Ky vend i vogël i ka të gjitha, përfshirë fluturimet vajtje-ardhje për vetëm 24 paund. Është e vështirë t’i thuash jo”. Kështu shkruan Christine Younan në një artikull të botuar në gazetën e përditshme britanike “The Mirror”.

Ndërsa moti në Britaninë e Madhe është i ftohtë, mendimi për pushimet e ardhshme mund të jetë joshës.

Një faqe e TikTok-ut, e njohur si @travel.cove me mijëra ndjekës, sugjeron rezervimin e pushimeve më të mira edhe me një buxhet të limituar. Dhe në video, faqja zbulon Shqipërinë si vendin ideal për të udhëtuar, pasi turistët britanikë mund të përfitojnë nga fluturimet vajtje-ardhje për 24 paund dhe nga hotelet që kushtojnë vetëm 32 paund për natë.

Por, kjo nuk është e gjitha, pasi shpenzimet atje janë gjithashtu të ulëta. Me 1,90 paund mund të konsumosh një krikëll birrë dhe një vakt me vetëm 8 paund.

Akomodimi në hotel është gjithashtu i përballueshëm, shkruhet në tabloidin britanik.

Ndërkohë, ekspertët e udhëtimeve mendojnë se koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga prilli deri në fillim të qershorit, kur moti është i shkëlqyer për ecje dhe çiklizëm.

Por, rekomandohet që të vizitohet edhe midis dhjetorit dhe shkurtit, pasi mund t’i shpëtohet turmave të vizitorëve.

Destinacioni më popullor në Shqipëri është Tirana, kryeqyteti i cili njihet për restorantet dhe baret e shumta. Ndërkohë, Mali i Dajtit është një tjetër vend i mrekullueshëm për adhuruesit e natyrës, i cili ndodhet jashtë Tiranës.

Shqipëria është një perlë e fshehur e Evropës e cila krenohet me plazhet e bukura dhe malet mbresëlënëse. Saranda është një qytet i bukur bregdetar për t’u vizituar falë afërsisë me Ksamilin, një nga plazhet më të mira të rajonit, sugjeron britanikja “The Mirror”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat