Misioni i UNESCO-s rekomandon përfshirjen e Ohrit në Listën e Pasurive në Rrezik

Turizëm

Misioni i UNESCO-s rekomandon përfshirjen e Ohrit në Listën e Pasurive në Rrezik

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 15:22
Drilon-Pogradec

Një mision i Oganizatës Botërore të Monumenteve, UNESCO, i ndërmarrë nga 25 -29 Mars të këtij viti i rekomandon Komitetit të Trashëgimisë Botërore që mblidhet vitin e ardhshëm përfshirjen e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

“Prona përmbush kriteret për regjistrim në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, siç përshkruhet në nenin 11.4 të Konventës së Trashëgimisë Botërore dhe në paragrafët 179 dhe 180 të Udhëzimeve Operacionale për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore", thuhet në raportin e misionit publikuar së fundi në faqen e UNESCO-s.

Si nga autoritetet shqiptare edhe ato maqedonase nuk ka ende asnjë reagim zyrtar mbi këtë qëndrim.

Misioni i UNESCO-s thotë në raport se pas monitorimit, si në anën shqiptare edhe atë maqedonase të Liqenit të Ohrit, “arrin në përfundimin se progresi është shumë i ngadalshëm dhe shumë i dobët”.

Sipas raportit të UNESCO-s “prona mbetet shumë e cënueshme për shkak të zbatimit të dobët të kuadrit ligjor për mbrojtjen dhe planifikimin, si dhe problemet e rëndësishme të menaxhimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Misioni thotë më tej se ” përkeqësimi serioz i vlerave kryesore universale të pronës (Ohrit) dhe i peizazheve urbane, rurale dhe natyrore po shkakton degradim të pakthyeshëm nëse nuk ndërmerren veprime vendimtare”.

Në kërcënimet e identifikuara misioni përmend “ndërhyrjet e papërshtatshme, ndikimet negative të zhvillimit urban dhe planifikimin e papërshtatshëm hapësinor, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe propozime të tjera projektesh ”.

Misioni thotë se “kjo mund të rezultojë që Ohri të humbasë vlerën e jashtëzakonshme universale në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme”.

Duke iu referuar pjesës së Liqenit të Ohrit në Shqipëri, UNESCO thotë se “përqendrimi i tepërt në përfitimet ekonomike që mund të nxirren nga ekzistenca e vendeve me vlera natyrore dhe kulturore errësojnë vlerësimin e plotë dhe të sinqertë të cenueshmërisë ekstreme të vlerave universale të pronës dhe integritetit të saj”.

“Vështirësia në njohjen e situatës jashtëzakonisht të cenueshme të pronës nga vendimmarrësit kryesorë nuk lejon që tendencat negative të korrigjohen dhe ka të ngjarë të zgjasë dhe shtojë cenueshmërinë e vlerave universal të Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit dhe integritetin dhe autenticitetin e tyre", thotë raporti.

Misioni mbështet një Plan Strategjik të Rimëkëmbjes të ndërmarrë si nga autoritet shqiptare edhe ato maqedonase por procesi i ngritur, sipas misionit , “duket tepër i brishtë, i pa pajisur me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për zbatimin e tij dhe nuk ka mbështetjen e nevojshme të përbashkët ndërkufitare”.

“Është thelbësore, thotë UNESCO në raport, që Planit Strategjik të Rimëkëmbjes t'i jepet e gjithë mbështetja e nevojshme institucionale, profesionale, njerëzore, financiare dhe organizative për të siguruar zbatimin e tij të qëndrueshëm për të ndihmuar pronën të rikuperohet nga rreziqet e konstatuara dhe të mundshme me të cilat është përballur, të paktën që nga viti 2020.”

Misioni vë në dukje se “gjendja e ruajtjes nuk është përmirësuar plotësisht që nga Misioni i Monitorimit Reaktiv i vitit 2020 dhe faktorët negativë që ndikojnë në vlerën e jashtëzakonshme universale të pronës janë ende aktive dhe kryesisht nuk njihen apo kontrollohen plotësisht”.

“Pavarësisht hapave në drejtimin e duhur dhe disa përmirësimeve lokale në zbatimin e masave të nevojshme për ruajtjen e vlerave të Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit, prona vazhdon të përballet me disa kërcënime, të cilat janë në rritje”, thotë raporti.

Raporti i UNESCO-s përmend konkretisht disa nga kërcënimet për ekosistemet ujore dhe vijën bregdetare e Liqenit të Ohrit

“Eutrofikimi, kryesisht nga kontaminimi i ujërave të zeza, qëndron si një faktor kritik që kontribuon në rënien e popullatave endemike të peshqve, thuhet në raport.

“Për më tepër, marrja e lëndëve ushqyese nga bregu ekosistemi e përkeqëson eutrofikimin për shkak të disa faktorëve: sistemet e ujërave të zeza me defekt, mungesa e ligatinave për të zbutur hyrjen e lëndëve ushqyese, rënia e funksionalitetit të zonës bregdetare dhe aktivitetet bujqësore në zonat përreth, thuhet në raport.

UNESCO vëren se “rënia alarmante e popullatave të peshqve dhe shpendëve, si dhe humbja e diversitetit të specieve të varura nga ligatinat, nënvizojnë pamjaftueshmërinë e masave aktuale të menaxhimit.

Sipas raportit “masat urgjente të ruajtjes janë të domosdoshme për të trajtuar popullsinë në rënie të peshqve dhe shpendëve, ndërkohë që zhvillimi i vazhdueshëm i një plani menaxhimi, duke përfshirë zonimin, është ende në progres”.

Aspekte të tjera që shtojnë shqetësime sipas UNESCO-s vijnë nga zgjerimi i rrjeteve rrugore, gërryerjet e kodrave, rritja e rreziqeve nga zjarri.

Një aspekt tjetër i shqetësimeve të UNESCO-s lidhet me zhvillimin e ndërtimeve që cënojnë zonën.

“Zhvillimi në shkallë të gjerë rreth liqenit, veçanërisht pranë qendrave kryesore urbane si Ohri dhe Struga, në Maqedoninë e Veriut dhe Pogradeci (në zonën tampon), në Shqipëri, thuhet në raport ka gërryer cilësitë e “ansamblit jashtëzakonisht harmonik” që është një nga karakteristikat kryesore që e bëjnë këtë rajon vërtet unik”.

UNESCO thotë se “urbanizimi i papërshtatshëm dhe i paqëndrueshëm dhe zhvillimi i infrastrukturës turistike kanë reduktuar të kuptuarit dhe vlerësimin e cilësive që mbështetën zhvillimin afatgjatë të jetës kishtare përgjatë brigjeve të liqenit”.

“Entiteti unik urban i lashtë i qendrës së vjetër të qytetit të Ohrit, vijon më tej raporti është ndikuar negativisht nga ndërhyrjet e panumërta që kumulativisht kanë gërryer ruajtjen dhe autenticitetin e tij”.

UNESCO vlerëson se edhe “koordinimi midis menaxhimit të pjesëve të Liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është i pamjaftueshëm, duke penguar përpjekjet efektive të ruajtjes”.

UNESCO thotë se “masat e kërkuara nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore që nga viti 2014 dhe nga Misionet Monitoruese Reaktive të 2017 dhe 2020 janë përmbushur vetëm në mënyrë shumë të kufizuar, ndërkohë që disa janë zbatuar shumë ngadalë dhe disa nuk janë adresuar fare, duke penguar përmirësimin e gjendjes së ruajtjes së pronës “

Misioni vëren se “i vetmi aktivitet ndërkufitar i raportuar ka të bëjë me një projekt të drejtuar nga turizmi – COOLTOUR – në vend që të fokusohet në krijimin e mekanizmave për bashkëpunim efektiv operacional në zbatimin e përpjekjeve të përbashkëta të ruajtjes”.

“Bashkëpunimi ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sipas UNESCO-s , duket ende në fillimet e tij dhe drejtimet strategjike të nivelit të lartë për bashkëpunimin ndërkufitar duhet të përcaktohen në nivel politik në të dy Shtetet Palë, bazuar në përparësinë e pronës për ruajtje”.

“Është urgjentisht i nevojshëm një mobilizim i gjerë për të ruajtur vlerën e jashtëzakonshme universale të rajonit të Ohrit dhe vendosja në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik mbetet një opsion nëse nuk merren masat e nevojshme”, thotë UNESCO.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut deri më 1 shkurt 2025, si do të duhet të paraqesin një raport të përbashkët për progresin dhe masat e ndërmarra në zbatim të rekomandimeve të UNESCOS.

Liqeni i Ohrit, është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në botë. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë së Veriut, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha: Ohri dhe Struga në Maqedoni dhe Pogradeci në Shqipëri.

Pjesa maqedonase e Liqenit të Ohrit u pranua në Listën e Trashëgimisë Botërore të në vitin 1979, fillimisht si pasuri natyrore, dhe një vit më vonë si pasuri natyrore dhe kulturore ndërsa pjesa shqiptare u pranua në vitin 2019.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat