Fluks vizitorësh në Prevallë

Turizëm

Fluks vizitorësh në Prevallë

Më: 6 janar 2025 Në ora: 06:55
Foto ilustrim

Krahas shumë vizitorëve, edhe ata nga Shqipëria po e mbushin Prevallën. Atyre po u pëlqen natyra, bora, por po shprehen të pakënaqur me mungesën e vend parkimeve.

Kolona të gjata të automjeteve nga Shqipëria janë regjistruar këtë të premte në hyrje të Prevallës së Prizrenit. Turistët që vijnë, sidomos nga Jugu, e pëlqejnë borën dhe natyrën e këndshme që ofron kjo pikë turistike.

"Po më pëlqeu shumë jashtë mase, ne vetë kemi akomodim atje ku jemi nga Vlora, shumë bukur është shumë këndshëm. Ne jemi mësuar me det andej nga jemi, për ne bora është luks", tha Arsen Dule nga Vlora.

Kurse, Halit Oshafi nga Berati thotë: "Shumë shumë bukur, ajri i pastër natyra shumë e bukur, bora, jemi kënaqur pa masë. është edhe Dardha e Korçës kështu për skijim, por neve na pëlqen më shumë këtej".

"Shumë na pëlqen por shumë lëmsh pista edhe nuk ka sisteme është e rrezikshme atje",thotë Ermal Qershia nga Shkodra.

Fiqiri Qenani nga Tirana, thotë se, bora, edhe vendi është fantastik. “Prevalla, Brezovica vende fantastike janë, normal që ka akoma punë, por mesa shoh këtu brenda një viti dy vjet janë bërë goxha ndërhyrje, tashi trafiku parkingu, këto janë gjana sepse është fluksi shumë i madh", thotë ai.

E problemi i përvitshëm për vizitorët e huaj dhe ata vendorë ngelet mungesa e autoparkimeve.

"Problemi më i madh është për parkingje, këtu është pllaci që ka qenë i Lirisë, është mbi dy hektarë është dashur mi zgjeru, mi parku njerzit makinat, spo mund të kalojnë, dy tre orë po bllokohet rruga", thotë Bajro Bajrami, banor i zonës.

Ismet Kastrati nga diaspora thotë se është shumë keq nuk ka parkingje. Ai shton se vend ka boll por s'ka kush e pastron.

"Kerret i kemi poshtë, veç ne erdhëm këtu lartë", thotë një qytetare tjetër, Satbere Gashi.

Në të gjitha hapësirat e Prizrenit janë funksionale vetëm tri InfoQendra, kur dihet se numri i vizitorëve nga jashtë është shumë i madh.

"Ne veç jemi tu prite prej Ministrisë për licencimin e ciceroneve dhe kemi komunikim, por jo të mjaftueshëm me guidat e jashtme edhe ciceroneve të brendshëm, momentin që ciceronet certifikohen atëherë do të kemi edhe disa ligje tonat të cilat do t’i zbatojmë në bazë të ligjeve të ministrisë", thotë Ramadan Tarashaj.

Bujar Spahiu nga Info Qendra e Prevallës deklaron se pas përfundimit të rrugës Prizren-Prevallë numri i vizitorëve ka qenë i madh, sidomos nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, vendet e Evropës dhe ato arabe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat