​Peizazhet dimërore i shtohen ofertës agroturistike në Boboshticë

Turizëm

​Peizazhet dimërore i shtohen ofertës agroturistike në Boboshticë

Më: 17 janar 2025 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Boboshtica është një nga fshatrat më të bukur të Korçës, me natyrë të mrekullueshme.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale një album mbresëlënës nga Boboshtica, ku duket se dëbora e rënë së fundmi ka krijuar peizazhe përrallore. Filo rendit natyrën, kishat shekullore dhe ushqimet tradicionale si disa nga arsyet për të cilat ia vlen një ditë e kaluar në këtë zonë me një ofertë të pasur me interes agroturistik.

Boboshtica gjendet 7,5 km larg qytetit të Korçës dhe ka qenë e banuar që në Mesjetë, shkruan ATSH.

Fshati krenohet me traditën e tij arsimdashëse. Pikërisht në Boboshticë në janarin e vitit 1889, lindi shkrimtari dhe dramaturgu i famshëm Viktor Eftimiu, babai i të cilit ishte me origjinë arumune. Në nderim të një prej bijve të vetë më të shquar, akademikut, poetit dhe shkrimtarit Viktor Eftimiu, u ngrit në një nga ambientet e shkollës edhe një muze kujtese për jetën dhe veprën e tij.

Kishat e Boboshticës janë një trashëgimi më vete, që tërheqin qytetarët korçarë por tashmë edhe një numër të madh turistësh. Nga kishat e shumta që ndodhen aty, njëra prej të cilave ajo e Shën Jovanit, daton në shekullin XI. Aty ndodhen dhe dy manastire, ai i Shën Mërisë në krye të fshatit dhe ai i Shën Kollit në pjesën juglindore, rrëzë Moravës, që është ndërtuar në kohën e Skënderbeut (1450). Në këtë manastir është gjetur dhe një nga ikonat më të vjetra në rrethin e Korçës.

Boboshtica vlerësohet si një destinacion i rëndësishëm turistik, me një natyrë të mrekullueshme, me ajër dhe ujëra të pastra, e me një terren të pasur që të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative.

Së fundmi, banorët kanë investuar edhe në hoteleri. Kuzhina tradicionale e nivelit të lartë me produktet e fshatit është ajo që turistët vlerësojnë në Boboshticë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat