Ndërsa planifikoni udhëtime ndërkombëtare në vitin 2025, duhet të merrni parasysh shkallën jashtëzakonisht të lartë të paqëndrueshmërisë në mbarë botën tani.
Përveç krimit të vazhdueshëm, konfliktit të armatosur dhe problemeve politike në vende të tilla si Lindja e Mesme, Ukraina, Koreja e Veriut dhe gjetkë, muajt e fundit janë rrëzuar qeveri, ka pasur trazira civile dhe fatkeqësi natyrore në shumë vende të tjera, që shpesh konsideroheshin si relativisht të sigurta dhe vizitoheshin nga një numër i madh turistësh.
Në një raport të lëshuar nga kompanitë e analizës së rrezikut me bazë në Europë, Safeture dhe Riskline, studiuesit arritën në përfundimin se “situata e sigurisë është përkeqësuar në 77 vende” anembanë globit.
Në mënyrë të ngjashme, perspektiva vjetore nga International SOS, një tjetër firmë e shërbimeve të rrezikut të sigurisë dhe shëndetit, nuk e uli vlerësimin e rrezikut për asnjë vend në vitin 2025 dhe intensifikoi paralajmërimet për shumë pak, duke përmendur “tensionet gjeopolitike” si “shkaktarin më të spikatur”.
Në këto vlerësime ndërkombëtare, si dhe në këshillat e udhëtimit nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, destinacionet më të rrezikshme për udhëtarët mbeten vendet e pushtuara nga luftërat, dhuna e bandave, problemet e rënda ekonomike dhe çështje të tjera të rënda.
Por në vitin 2025 ka edhe rreziqe të shtuara në vende të tjera, që mund të mos i kishit menduar.
Rritja e paqëndrueshmërisë në Europë dhe pika të tjera të nxehta turistike
Në hartën globale të rrezikut, të përpiluar nga Safeture dhe Riskline, Europa përshkruhet si një zonë mesatarisht e sigurt e globit.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë një rritje të paqëndrueshmërisë në rajon.
“Faktorët kryesorë përfshijnë rritjen e trazirave politike, demonstratat publike dhe sfidat mjedisore, si stuhitë dhe përmbytjet”.
Ndër vendet europiane, që përjetuan probleme si ato në 2024 dhe mund të kenë ndikime të vazhdueshme në 2025 janë: Franca, Spanja, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Holanda dhe Polonia, sipas raportit.
Po kështu, Maldivet janë zhvendosur në kategorinë “me rrezik të mesëm”. Arkipelagu i Oqeanit Indian i njohur për vendpushimet luksoze të plazhit, po sheh një rritje të paqëndrueshmërisë politike, ekstremizmit fetar dhe pasojave negative të ndryshimeve klimatike.
Ndërkohë, në hemisferën perëndimore, pjesë të Meksikës janë bërë gjithnjë e më të rrezikshme për udhëtarët.
Gjashtë shtete – Colima, Guerrero (ku është Acapulco), Michoacan, Sinaloa, Tamaulipas dhe Zacatecas – janë përfshirë në listën e vendeve ku ‘nuk duhet të udhëtoni’ nga Departamenti i Shtetit në SHBA.
Për më tepër, kërcënimi i dhunës ka shtyrë Departamentin e Shtetit të këshillojë turistët amerikanë, që të “rishqyrtojnë udhëtimin” – vlerësimi i dytë më i rëndë i agjencisë federale – për disa shtete të tjera meksikane me zona turistike të njohura, duke përfshirë Jalisco (ku ndodhet Puerto Vallarta) dhe Guanajuato (ku ndodhet San Miguel de Allende).
Por asnjë nga vendet e listuara më sipër nuk është ndër vendet më të rrezikshme për t’u vizituar, sipas Departamentit të Shtetit, International SOS dhe Riskline/Safeture.
10 destinacionet e udhëtimit jashtëzakonisht të rrezikshme në 2025:
• Burkina Faso (për shkak të krimit dhe terrorizmit)
• Republika e Afrikës Qendrore (për shkak të konfliktit të armatosur)
• Haiti (për shkak të trazirave civile, krimit dhe kujdesit të kufizuar shëndetësor)
• Izrael/Gaza/Bregu Perëndimor (për shkak të konfliktit të armatosur)
• Liban (për shkak të konfliktit të armatosur)
• Myanmar (ish Burma; për shkak të trazirave civile, konfliktit të armatosur dhe zbatimit arbitrar të ligjeve)
• Somali (për shkak të krimit, piraterisë dhe shërbimeve qeveritare jo të besueshme)
• Sudani i Jugut (për shkak të konfliktit të armatosur dhe krimit)
• Venezuela (për shkak të krizës ekonomike, krimit të lartë dhe ndalimeve të paligjshme)
• Jemeni (për shkak të konfliktit të armatosur)