Guri i Cjapit në Bozdovec të Shqipërisë është një nga perlat e natyrës në zonën e Korçës.
Ky thesar i natyrës, me frekuentim të lartë nga ekskursionistët dhe të apasionuarit pas alpinizmit dhe natyrës, zor se mund të përshkruhet me fjalë, por vetëm të përjetohet, shkruan ATSH.
Guri i Cjapit është kthyer në një destinacion të përkryer dhe një nga sekretet më të bukura të Korçës, për të gjithë ata që kërkojnë aventurë dhe qetësi mes bukurive të maleve.
Guri i Cjapit ndodhet në brendësi të parkut të Bozdovecit, në komunën Drenovë të rrethit të Korçës. Përfaqëson një bllok shkëmbor konglomeratik dhe ranor me formë të veçantë; ngjan me një deve të ulur në tokë. Emrin e ka marrë nga një cjap, që është rrëzuar në këtë shkëmb. Gjatësia e këtij guri është 20-25 metra, gjerësia është 5-10 metra, dhe gati po kaq është lartësia. Përbëhet nga shkëmbinj konglomerat të modeluar nga erozioni dhe era. Ka vlera shkencore, didaktike, estetike e turistike.
Vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj sipas itinerarit Korçë-Drenovë-Bozdovec.