Ëmbëlsira e sultjashit (qumështorizit) është një nga pjatat tradicionale shumë të preferuara në familjet shqiptare. Kjo jo vetëm për mënyrën e thjeshtë të përgatitjes, por dhe kostës së ulët të përbërësve. Kjo pjatë sjell shije unike në tryezë dhe ëmbëlson vaktet tuaja.
Receta sugjerohet nga shefi i kuzhinës, Renato Mekolli. Përbërësit: 1 litër qumësht, 200 gr sheqer, 150 gr oriz, 100 gr fistik të pjekur, 50 gr gjalpë, pak kanellë, ujë.
PËRGATITJA:
Së pari, në një tenxhere vendosim gjalpin, orizin dhe pak ujë. I lëmë në zjarr për 10 minuta që të ziejnë. Më pas shtojmë një pjesë të qumështit dhe e lëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë. Kur të shohim që qumështi ka nisur të ziejë, shtojmë dhe pjesën tjetër.
E lëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë dhe e përziejmë vazhdimisht. Kur shohim që është krijuar një masë e plotë dhe e lidhur e përbërësve, e heqim nga zjarri dhe e ndajmë në tasa të vegjël. Përdorim fistikë ose arra të pjekura për t’ia hedhur sipër sultjashit. Shtojmë kanellë dhe e shërbejmë kur të jetë ftohur. Tani, është koha të kujtoni fëmijërinë tuaj!