Për qoftet: 500 g mish i bluar, 250 g oriz gjysmë i zier dhe i ftohtë, 1 lugë kripë, 1 lugë nenexhik i thatë, 1/2 lugë piper i zi dhe 1 vezë (vetëm e bardha).
Për lëngun: 1 vezë ( e verdha), 1,5 l ujë, 50 g miell, 50 g gjalpë, 200 ml qumësht, 50 g niseshte, 1 limon (lëngu), kripë e piper sipas dëshirës dhe kopër.
Përgatitja: I përziejmë të gjitha me kujdes derisa masa të bëhet e njëtrajtëshme. Ndajmë me një lugë brumin dhe formojmë qofte sa një arrë. Vendosim të ziejë 1,5 lt ujë, hedhim pjesë pjesë me kujdes qoftet, presim sa të dalin në sipërfaqe dhe i nxjerrim me kujdes.
Lëngun e zierjes e kullojmë. Kaurdisim 50 g gjalpë me 50 g miell, e shuajmë me 200 ml qumësht dhe përziejmë me tel kuzhine që mos formohen kokrra, e bashkojmë me lëngun e qofteve që kulluam më parë ende të nxehtë, e rregullojmë shijen me kripë dhe piper. Në një tas rrahim të verdhën e vezës me lëngun e 1 limoni dhe 50 gr niseshte. Shtojmë pak nga lëngu i qofteve derisa të arrijnë të njëjtën temperaturë, më pas e hedhim të gjithë masën te lëngu i qofteve dhe e vendosim në zjarr derisa të marrë valë. Shtojmë në fund qoftet dhe pak kopër të grirë hollë. E shërbejmë me pak gjalpë të skuqur. Personalisht më pëlqen edhe pak piper i kuq.